Shqipëria nga sot ka nisur lirimin e masave

Sot Shqipëria ka hedhur hapin e parë drejt lehtësimit të masave parandaluese për përhapjen e virusit COVID-19. Të parët që gëzuan rrugët e Tiranës ishin pensionistët. “ Tirana sot është e këtyre zemrave”- tha kryeministri, Edi Rama dhe kjo u mirëprit nga të moshuarit.

“Unë do ta shfrytëzoj dy orë këtë sa ka thënë Qeveria. Jam dakord, të dalim, të shpijmë këmbët se jemi pensionistë jemi të sëmurë. Me këto rregullat jemi shumë dakord. Nuk e kisha të vështirë, pse do bëhej hataja se do rrinim në shtëpi dy ditë. Do merremi me nipërit me mbesat, do rrimë të gatuajmë.”

“Shumë mirë për neve për t’u shpirë një çik nga këmbët. Një muaj izolim në shtëpi, me njëri-tjetrin, duke u zënë duke u pajtuar.”

“ Jo aq keq, duke parë televizor, duke lexuar ndonjë libër, nga ato që kemi lexuar dikur. Kështu që, shyqyr që na dhanë këtë leje sot, dolëm të shpijmë një çik këmbët. Ne nuk kënaqemi asnjëherë, por me rëndësi e përgjithshmja është e mirë”.

Pas të moshuarve nesër në Shqipëri e kanë nënat me fëmijët të dalin në këmbë deri në orën 11:00 në qendrat urbane. Vetëm nënat me fëmijë deri në 10 vjeç, shkruan kryeministri Edi Rama ndërsa fton të bëjnë kujdes: Nënat duhet të mos shoqërohen me shoqe dhe fëmijët duhet të mbahen larg çdo kontakti me fëmijë të tjerë.

Lajmet e mira nga Shqipëria nuk përfundojnë me kaq. Gjatë 24 orëve të fundit 19 persona të prekur nga virusi korona, janë shëruar, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të shëruarve në 302.

Ju bëj me dije se gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri janë bërë 231 analiza personash të dyshuar si bartës të sëmurë ose si të sëmurë. Nga këto testime janë konfirmuar vetëm 9 raste pozitive. 19 pacient të tjerë I janë shtuar listës së të shëruarve, duke çuar numrin e përgjithshëm në 302 -u shpreh Mira Kacolli- Zv/ Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Në kuadër të zbutjes së masave qeveria e Shqipërisë vendosi që të hënën, pas një muaji të mbyllura, disa biznese të nisin me punë, megjithatë të njëjtët duhet të plotësojnë një listë të gjatë të masave që duhet të marrin punëdhënësit./Alsat