Shqipëria dhe shqiptarët të rrezikuar nga bashkëpunimi Rama-Vuçiq!

Ish-Presidenti Donald Trump ka nisë lëvizjen e tij “Ta shpëtojmë Amerikën”! Çdo mendje normale do të thoshte në këtë rast: “Kur Donald Trump kërkon ta shpëtojë Amerikën nga Joe Biden, çfarë duhet të thonë shqiptarët për qeverisjen e Edi Ramës dhe bashkëpunimin e tij me Serbinë”?! Në rastin tonë kjo thirrje vjen e bëhet imperativ i kohës: – Të shpëtojmë Shqipërinë dhe shqiptarinë nga bashkëpunimi Rama-Vuçiq. Në këtë kontekst duhen veçuar disa aspekte:

1. Midis dy liderëve, atij serb dhe këtij tonit, ka marrëveshje të fshehta. Ky është rreziku më i madh i Shqipërisë dhe i shqiptarëve. Presidenti i Serbisë e mbështeti fuqishëm kryeministrin e Shqipërisë që ky i fundit “ta fitojë” mandatin e tretë të qeverisjes. Edhe sikur Rama të ishte nipi i Borkës, siç është Vuçiq, presidenti serb nuk do ta mbështeste atë kaq hapur dhe me nervozizëm që të rrinte në pushtet. Por Edi Rama zë vend të veçantë në agjendën e presidentit të Serbisë. Është i preferuari i shekullit dhe bashkëpunëtor në krimin anti-shqiptar.

Investimet e reklamuara të kryeministrit shqiptar janë investime strategjike të projektuara në Beograd e ndërmjetësuara nga Beogradi. Interesi serb për korridorin Durrës-Beograd është i jashtëzakonshëm. Kompanitë logjistike të transportit dhe infrastrukturës së tij nga Serbia kanë filluar të instalohen në Shqipëri. Marrëdhënia Vuçiq-Rama është shumë më e thellë se ajo që shohim. Kush beson se kjo marrëdhënie është në interesin e shqiptarëve, ai është debil nga trutë e kokës! Ndërsa nismat politike, si ajo e Minishengenit, janë autostrada e realizimit të projekteve radikale anti-shqiptare të Serbisë kundër interesit kombëtar të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Prandaj Shqipëria dhe shqiptarët duhet të shpëtohen nga bashkëpunimi i Edi Ramës me Aleksandër Vuçiq!

2. Në ndihmë të projekteve Rama-Vuçiq është mobilizuar e gjithë struktura dhe superstruktura mafioze e trafikantëve dhe kriminelëve të të dy vendeve. Ka raste kur kriminelët, si dhe vrasjet e krimet që ata bëjnë, nxiten e përdoren për të maskuar marrëveshjet e fshehta Rama-Vuçiq për shndërrimin e Serbisë në fuqi ekonomike e tregtare rajonale, edhe pse dihet se kjo marrëveshje e shndërron ekonominë e shteteve të tjera të rajonit në veprimtari të varur prej Serbisë. Shtrirja në jug të Ballkanit e Serbisë ishte ëndrra serbe e fillimit të shekullit të XX. Me ndihmën e Edi Ramës këtë ëndërr po e realizon Aleksandër Vuçiq në dhjetëvjeçarin e tretë të shekullit të XXI.

Këtë katastrofë të cilën po na e sjellin në mënyrë të sinkronizuar iniciativat politike rajonale të Edi Ramës dhe presidentit serb, si dhe mekanizmat e veprimtarisë kriminale të mafies rajonale të të dy vendeve. Mafia dhe krimi i organizuar janë ulur këmbëkryq në mënyrë të pakontrolluar në Shqipëri dhe në mënyrë të kontrolluar në Serbi. Të dy këto segmente bashkëpunojnë ditën e natën për të shpronësuar shqiptarët dhe pronësuar trafikantët, për të varfëruar Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Malin e Zi dhe për ta pasuruar Serbinë.

3. Shqipëria dhe shqiptarët mund të kenë ende shpresë se ata do t’i shpëtojë Kosova, si gjithmonë në historinë tonë! Ndryshimi politik i 6 shkurtit të kaluar në Kosovë është një ngjarje e madhe që jep shpresë se Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiq nuk do të kenë sukses në projektet e tyre anti-shqiptare. Megjithatë, të dy këta po zgjerojnë përkrahjen e tyre në projektet kundër nesh. Po bëjnë lëshime tjera me qëllim që të marrin mbështetje për minishengenin, si çelësi i suksesit të tyre. Të dy këta nuk ndalen dhe gjithnjë shfrytëzojnë rastin të promovojnë njëri-tjetrin dhe pjellën anti-shqiptare të tyre: -Minishengenin shkatërrues të interesave tona kombëtare. Shkatërrues për faktin se iniciativa Rama-Vuçiq ka synim izolimin e Kosovës dhe shkatërrimin e shtetësisë së saj, si kusht i zgjerimit të pandalur të Serbisë në jug të saj.

Nuk dihet sa do të rezistojnë Albin Kurti dhe Vjosa Osmani përballë këtij rreziku kombëtar, por deri tani kanë dhënë shenja pozitive në këtë drejtim. Këta të dy, si dhe të gjithë politikanët që e duan Shqipërinë, Kosovën dhe i respektojnë vlerat e shqiptarëve, duhet të bashkohen me qëllim që të shkatërrohen planet e Aleksandër Vuçiq kundër nesh. Para së gjithash akademikët, njerëzit e dijes, ata të letrave, të kulturës dhe të medies kanë detyrimin të punojnë çdo ditë për t’i informuar shqiptarët lidhur me këtë rrezik të madh kombëtar! Mos prisni të shihni flakën! Mos mendoni se tymi që shohim nuk është një zjarr i madh, në të cilin mund të digjemi të gjithë bashkë!

Për të gjitha këto arsye duket qartë se patronazhisti i Ramës është Aleksandër Vuçiq, i cili jo vetëm e monitoron dhe ndihmon në fushatë elektorale, duke goditur opozitën shqiptare, por edhe i kundërvihet BE-së për mos hapjen e negociatave me Shqipërinë. Të dy këta janë gjithnjë bashkë në ditë të mira e të vështira. Dhe nëse nuk i ndalim sot, atëherë nesër Shqipëria dhe shqiptarët do të vuajnë më shumë se në shekullin e XX pasojat e një bashkëpunimi kaq të ngushtë midis kryeministrit të Shqipërisë dhe presidentit të Serbisë!