Shqipëri: Rënia e demokracisë, këmbanë alarmi për të gjithë

Raporti “Kombet në ndryshim 2020 – Rënia e Fasadës Demokratike” nga Freedom House e klasifikon Shqipërinë një komb me demokraci hibride, në rënie.

Institucione të dobëta demokratike, zgjedhje pjesërisht të lira dhe të ndershme, liri politike dhe civile të cunguara. Ky është realiteti që “Freedom House” ka gjetur nga monitorimi i progresit demokratik të Shqipërisë gjatë vitit 2019. Raporti vjetor “Kombe në ndryshim, Rënia e fasadës Demokratike, 2020,”e rendit Shqipërinë ndër vendet  me demokraci hibride, vetëm 47 % demokratike ose me 3.82 pikë, që shënojnë një rënie prej 0,7 pikësh në krahasim  me një vit më parë.

Në Ballkan pikët më të larta i merr Kroacia 4,25, e ndjekur nga Serbia me 3,96, Mali  i Zi me 3,86, Shqipëria 3,82, Maqedonia e Veriut 3,75, Bosnjë- Herzegovina 3,32 dhe Kosova 3.18.

Në 29 vendet në botë , që ky raport ka monitoruar progresin demokratik, lirinë dhe të drejtat e njeriut, renditja bëhet nga 1 deri në 7, ku 1 përfaqëson nivelin  më të ulët dhe 7 më të lartin.

Pse Shqipëria ka rënie në progresin demokratik?

 

Për Prof. Dr. Afrim Krasniqi, drejtues i Institutit për Studime Politike, zhvillimet kryesore negative vitin e kaluar lidhen me zgjedhjet lokale 2019 dhe institucionet e drejtësisë

“Shqipëria ishte vendi i vetëm në Evropë ku pati një proces zgjedhor pa pjesëmarrjen e opozitës, ngaqë opozita vendosi vetë largimin nga institucionet përfaqësuese, vendi pa Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë, ku asnjë zyrtar i lartë nuk u përball me drejtësinë dhe ku liria e medias u cënua. Gjendja në Shqipëri është edhe më e rëndë sesa e paraqet raporti i ” Freedom House,2020” e konstatuar edhe nga vlerësimi i BE muajin e kaluar” thotë ai për DW.

Gjergj Vrumo, drejtor projekti në Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim, e sheh arësyen kryesore tek kriza politike ku u zhyt Shqipëria vitin e kaluar.

“Kjo krizë degjeneroi më tej dhe arriti në përplasje institucionale mes institucioneve si ai i  Presidentit,  KQZ, Parlamentit. Klima politike solli edhe bojkotimin e zgjedhjeve vendore nga opozita, gjë që kufizoi të drejtën e zgjedhjes së qytetareve. Aktualisht në Shqipëri ka një sistem jo efektiv të kontrollit dhe ekuilibrit mes pushteteteve, ku vërejmë një mbizotërim të pushtetit ekzekutiv. Sot niveli i demokracisë ndodhet atje ku ka qënë në vitet 2013-2014.

Rënia e fasadës demokratike.

Kështu e ka titulluar këtë vit raportin në fjalë Freedom House, për një sërë vendesh në botë, mes të cilave edhe Shqipëria. Prof. Dr. Krasniqi rendit disa tregues të rënies së fasadës demokratike në Shqipëri.

Prof. Afrim Krasniqi (DW/A. Ruci)Prof. Dr. Afrim Krasniqi

“Shndërrimi i Parlamentit, i Gjykatave, që janë institucione të garancisë demokratike në institucione formale, pa vendimmarrje efektive, identifikimi i individit me shtetin dhe institucionet ka rritur ndjeshëm peshën e individëve politikë, kryetarëve të partive dhe ka ulur ndjeshëm peshën e institucioneve kushtetuese. Ndërkohë kemi një politikë jashtë institucioneve, pa institucione. Shembulli më domethënës është mungesa e Gjykatë Kushtetuese dhe e Gjykatës së Lartë. Një prirje e tillë është në drejtim të kundërt me demokracinë funksionale,” thotë për DW, Afrim Krasniqi.

Sipas tij rënia e fasadës demokratike vërehet edhe në proceset ligjbërëse dhe rolin e Parlamentit ndaj pushtetit ekzekutiv.

“Proceset ligjbërëse ndodhin me procedura të përshpejtuara, të pakonsultuara me shoqërinë civile dhe grupet e interesit. Freedon House e përfshin Shqipërinë në ato vende ku parlamentet janë në rrezik. Në rolin kontrollues të parlamentit ndaj pushtetit ekzekutuv, pushtetit legjislativ është i nënshtruar” thekson për DW , Gjergj Vurmo.

Ai e konsideron raportin e sivjetëm të Freedom House një ” këmbanë alarmi për qeverinë dhe opozitën, që nëse nuk ndodh ndryshim i kursit, rënia e demokracisë ka gjasa të  vazhdojë me pasoja edhe në aspektin gjeo-strategjik.

“Ne këtë aspekt pasojat janë shume serioze. Kam parasysh jo vetem procesin e integrimit evropian të vendit, hapjen e negociatave dhe ecurinë më tej, por edhe nevojën që ka këtë kohë Kosova dhe faktori shqiptar në rajon për një Shqipëeri demokratike” thekson Gjergj Vurmo.

Ku janë shpresat për ndryshim?

Prof. Dr. Krasniqimendon se Shqipëria ndodhet në kushte specifike në krahasim me vendet në tranzicionin post- komunist.

“Shqipëria nuk ka as klasë të mesme që të riskojë në emër të parimeve, as klasë të pasur që të investojë në ndryshimin e situatës. Kjo mungesë rrezikon rënien  rritjen e tendencave autoritare, riciklimin e elitave politike të korruptuara. Por shpresat për ndryshime pozitive janë tek brezi i  ri që përherë dhe më shumë ngre zërin  ndaj mënyrës sesi po ecën Shqipëria, tek zërat reagues të shoqërisë civile, që mbështesin demokracinë funksionale” thotë për DW, Afrim Krasniqi.

Një gjenerator i fuqishëm progresi demokratik vazhdon të jetë procesi i hyrjës në BE.

“Shqipëria ka nevojë për më shumë Bruksel, Berlin, Paris dhe Washington, pa lënë mënjanë fqinjët, që të kryhen reformat që kërkon integrimi europian. Rënia e demokracisë është një tregues tjetër që stabiliteti në kurriz të demokracisë nuk është zgjidhje afatgjatë dhe produktive” thekson për DW, Afrim Krasniqi.

Kjo prirje do të duket në situatën post-corona. “Post-corona pritet të ndryshojë shumë aspekte të sjelljes së institucioneve dhe aktorëve të demokracisë, përfshirë qytetarët. Ka gjasa që protestat të ndalohen për një periudhë kohe, druaj se frika ndaj rikthimit të epidemisë mund të dominojë frikën ndaj përkeqësimit të demokracisë.” – thotë për DW Gjergj Vurmo.

Freedom House është një organizatë jo fitimprurëse, me qendër në Washington D.C që monitoron progresin demokratik, të lirive politike dhe të të drejtave të njeriut në vende të ndryshme të botës./DW (Deutsche Welle)