Shqipëri, përmirësohet situata në zonat e përmbytura

Pas disa ditësh nën ujë, në Shqipëri është përmirësuar situata në zonat e përmbytura. Në qarkun Lezhë, prurjet në lumin Drin, Gjadër e Mat janë pakësuar. Po ashtu dhe niveli i ujit në hidrovore, ka pësuar rënie. Ndërkohë vazhdojnë të jenë nën ujë rreth 2600 hektarë tokë bujqësore, kryesisht në zonën e Torovicës e Zadrimës. Situatë ende e vështirë paraqitet në qarkun e Shkodrës. Ndonëse moti është përmirësuar prurjet e lumenjve vazhdojnë të jenë në kufijtë e maksimales, ndërsa ka shkuar në 1900 hektarë sipërfaqja e tokave të përmbytura. Ndërkohë në qarkun e Durrësit nuk raportohet për probleme, pasi uji është tërhequr.