Shqipëri, betohet ministri i ri i Shtetit për Rindërtim

Në Institucionin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë u zhvillua ceremonia e betimit të ministrit të Shtetit për Rindërtimin, z.Arben Ahmetaj.

Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit përkatës, ministri i Shtetit për Rindërtimin, duke vendosur dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë, u betua se:

“Betohem në nderin tim, se do të zbatoj me përpikmëri Kushtetutën dhe ligjet, si dhe do të kryej me përgjegjësi detyrën shumë të rëndësishme që më është besuar, të anëtarit të Këshillit të Ministrave!”

Puna e Ahmetajt do të ketë në fokus dëmet e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit dhe ndjekjen e procesit të rindërtimit për shtëpitë e shembura.