Shpërthimi i Covid në Gjermani, akuzat: Të vaksinuarve, i dhanë shumë liri

“Ka shumë arsye pas kësaj vale të re infekmtimesh nga koronavirusi në Gjermani. Por më e rënda prej tyre, ishte nënvlerësimi që iu bë rrezikut nga të vaksinuarit. Virusi po përhapet shumë edhe mes tyre. Vaksina ka një efikasitet prej 50-70%, që do të thotë se në 10 persona të imunizuar, 3 deri në 5 mund të vazhdojnë ta përhapin njësoj sëmundjen. Dhe kur mungojnë masat e kontrollit, testet e distancimi social, nuk është çudi që të krijohen vatra të reja”.

Me këto fjalë, Alexander Kekule, një prej epidemiologëve më të famshëm gjermanë, tregon një prej shqetësimeve të mëdha të tij në situatën e krijuar. Sipas tij, të vaksinuarve iu dha shumë liri. Rritja e fundit e numrit të infektimeve me Covid-19 po alarmon mjekët dhe politikanët në vend.

Thirrjet për vaksinim të detyrueshëm për grupe të caktuara profesionesh dhe rifutja e testeve falas po bëhen gjithnjë e më të forta. Për shkak të rritjes së infektimeve me koronavirus në Gjermani pritet të merren përsëri masa drastike për reduktimin e kontakteve.

Landi i Saksonisë vendosi që duke filluar nga 8 nëntori, në restorante, bare apo teatër të hyjë në fuqi i ashtequajturi rregull 2G, pra të lejohen të hyjnë vetëm ata që janë vaksinuar apo janë shëruar prej Covid-19.

Por virologu Jonas Schmidt-Chanasit paralajmëron se ky rregull krijon një siguri të rreme sepse të vaksinuarit gjithashtu mund të infektohen dhe ta transmetojnë virusin, edhe nëse probabiliteti është më i ulët.

Top Channel