Shpenzimet gjatë pushimeve tregojnë gjallërinë e tregut

Më shumë se 53.5 milionë udhëtime pasagjerësh vlerësohet se janë kryer nëpërmjet rrjetit kinez të transportit të martën, me një rritje prej 52.5 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022, sipas Ministrisë së Transportit të Kinës.

Një shifër e ngjashme e vëllimit të udhëtarëve ishte edhe të hënën. Për të trajtuar kulmin e udhëtimeve gjatë pushimeve, mbi 11 000 trena u vunë në qarkullim të martën, midis të cilëve gati 900 janë trena të përkohshëm.
Më tepër se 16 milionë veta udhëtuan me tren të martën, në ditën e pestë të pushimeve të Festës së Mesvjeshtës dhe të Ditës Kombëtare që zgjasin nga 29 shtator deri më 6 tetor. Vëllimi njëditor i udhëtarëve arriti mbi 16 milionë për pesë ditë me radhë gjatë periudhës së pushimeve.

Linjat e sapohapura hekurudhore gjatë pushimeve përfshijnë hekurudhën me shpejtësi të lartë Guangzhou-Shanwei, hekurudhën me shpejtësi të lartë breglumore Shangai-Nanning dhe hekurudhën me shpejtësi të lartë Fuzhou-Xiamen, të cilat kanë pasur një fluks të madh udhëtarësh.

Nëpërmjet hekurudhës me shpejtësi të lartë Guangzhou-Shanwei, e cila ka qenë në funksionim vetëm për një javë, janë kryer tashmë rreth 238 000 udhëtime pasagjerësh në Zonën e Madhe të Gjirit Guangdong – Hong-Kong – Makao, me një mesatare të përditshme prej 59 trenash në qarkullim gjatë periudhës së ngarkuar.

Ndërkohë, nga ata që kanë zgjedhur të udhëtojnë me mjetet e tyre, më tepër se 59.6 milionë udhëtime rrugore llogaritet se janë bërë të martën, 55.4 për qind më shumë se në njëjtën ditë të vitit të kaluar, ndërsa numri i udhëtarëve me anije u shtua me 136 për qind, duke bërë 1.45 milionë udhëtime.

Tregu kinez i konsumit po gjallërohet, teksa pushimet tetëditore po u japin një nxitje të fortë shpenzimeve shkruan CMG.

Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Ministria e Tregtisë, qarkullimi i regjistruar në rrugët kombëtare të këmbësorëve, duke përfshirë rrugën e famshme tregtare “Wangfujing” në Pekin dhe rrugën “Nanjing” në Shangai, u rrit 87 për qind në tre ditët e para të pushimeve krahasuar me vjet.

Përveç kësaj, fluks të madh vizitorësh pati edhe në zonat kryesore të biznesit të 36 qyteteve të mëdha dhe të mesme, me një rritje 132 për qind në periudhën treditore nga viti i mëparshëm.

Të dhënat e mëdha të Ministrisë tregojnë se xhiroja e ndërmarrjeve të shitjes me pakicë dhe shërbimit të ushqimit në mbarë vendin u rrit 8.3 për qind në vit nga e premta deri të dielën krahasuar me të njëjtën periudhë vjet.
Gjithashtu, shitjet e produkteve të pushimeve, pajisjet e zgjuara të gjelbra shtëpiake dhe produktet e reja elektronike janë rritur që nga fillimi i pushimeve.

Si pushimet më të gjata publike të këtij viti, “Java e artë” super e gjatë, që përfshin si Festën e Mesvjeshtës, ashtu edhe pushimet e Ditës Kombëtare, do të përfundojë më 6 tetor.