Shpenzimet e festës tregojnë rritjen e nivelit të konsumit

Gjatë pushimeve për Ditën Kombëtare, blerjet në internet dhe në dyqane fizike në Kinë kanë pasur një rritje të vrullshme, falë entuziazmit të konsumatorëve dhe zbatimit të politikave të nxitjes së konsumit.

Sipas zëdhënëses së Ministrisë së Tregtisë të Kinës Shu Jueting, gjatë pushimeve shtatëditore, aktivitete të ndryshme të nxitjes së konsumit janë zhvilluar në mbarë Kinën për të rritur shpenzimet dhe për të mbështetur rimëkëmbjen e tregut të brendshëm të konsumit.

Organet e qeverisjes vendore kanë marrë masa të ndryshme, duke përfshirë dhënien e kuponëve të konsumit, pasurimin e aktiviteteve të turizmit dhe organizimin e festave të konsumit për të nxitur konsumin kulturor e turizmit.

Për shembull, qyteti Fuzhou i provincës Fujian të Kinës Juglindore planifikon të japë kuponë konsumi me vlerë 3 milionë juanë (rreth 423 000 dollarë) gjatë sezonit të festës për të inkurajuar shpenzimet, teksa provinca Sichuan e Kinës Jugperëndimore po organizon mbi 70 veprimtari të tilla si turne kulturore dhe nate për të tërhequr turistët.

“Organet e pushtetit vendor në Kinë kanë marrë një sërë masash të fuqishme, nga të cilat mund të përfitojnë një gamë më e gjerë konsumatorësh,” vuri në dukje Chen Lifen, studiues në Qendrën Kërkimore të Zhvillimit pranë Këshillit të Shtetit të Kinës, duke shtuar se masa të tilla do të çlirojnë më tej potencialin e konsumit.

Entuziazmi për udhëtime është rritur gjatë pushimeve njëjavore të festës. Sipas agjencisë turistike kineze në internet “Lvmama”, nga 11 deri më 20 shtator, rezervimet për udhëtime gjatë pushimeve shtatëditore nëpërmjet platformës së saj u rritën me mbi 87 % krahasuar me dhjetë ditët e mëparshme.
Me rritjen e interesit të kinezëve për zbavitjen në natyrë, shitjet e produkteve përkatëse janë rritur me mënyrë të ndjeshme. Dy javë përpara festës, shitjet e pajisjeve të fotografimit në natyrë u shtuan mbi 300 % krahasuar me dy javët e mëparshme, treguan të dhënat nga gjigandi i tregtisë elektronike “JD.com”.

Bashkë me rimëkëmbjen e sektorit turistik, edhe sektori i shërbimeve të ofrimit të ushqimit në Kinë ka pasur rritje dhe bizneset e restoranteve kanë lulëzuar gjatë pushimeve të festës kombëtare.

Sipas të dhënave, në ditën e parë të pushimeve, shitjet në internet të pastruesve të ajrit, fshesave robotike, pjatalarëseve dhe pajisjeve të tjera të përparuara elektroshtëpiake u shtuan më shumë se 100 %.

Kina ka ndërmarrë një sërë masash për të promovuar rimëkëmbjen e konsumit, duke përfshirë shtimin e konsumit në sektorë kyçë si automjetet, pajisjet elektroshtëpiake të gjelbra e inteligjente, shërbimi i ofrimit të ushqimit dhe akomodimi etj.

“Tregu kinez i konsumit do të konsolidojë prirjen e rimëkëmbjes dhe do të vazhdojë të luajë një rol themelor në forcimin e rritjes ekonomike të Kinës me zbatimin e masave të nxitjes së konsumit,” tha studiuesi i Akademisë Kineze të Tregtisë e të Bashkëpunimit Ekonomik Ndërkombëtar Guan Lixin.