Punësimet në sektorin publik dhe institucionet shtetërore nuk po ndalet në Maqedoninë e Veriut, edhe pse vendi po përballet me krizë dhe huamarrje stratosferike.
Kësaj radhe Ministria e Financave që drejtohet nga ministri Fatmir Besimi ka hapur konkurs për të realizuar 17 punësime të reja, përcjell INA. Ajo që bie në sy është se nga 17 punësime, shumica prej tyre pozicione të larta, vetëm 4 punësime janë të hapura për kandidatë shqiptarë, edhe ate kryesisht referentë.
Punësimet janë si vijon në këto pozita:
Një këshilltar për institucionet jobankare, i cili duhet të ketë një diplomë ekonomike ose juridike dhe të paktën tre vjet përvojë pune në këtë profesion. Për të është paraparë që duhet të jetë maqedonas, dhe do të ketë pagë pak më të lartë se 26.000 denarë.
Një ndihmës drejtori në Drejtorinë e Sistemit Financiar, i cili duhet të jetë ekonomist ose jurist, por të ketë të paktën katër vjet përvojë pune në këtë profesion, nga të cilat të paktën një vit në punë në sektorin publik, pra të paktën gjashtë vjet përvojë pune në profesion nga të cilat të paktën dy vjet në pozicion drejtues në sektorin privat. Ai do të marrë pagë prej gati 33 mijë denarë, ndërsa duhet të jetë edhe me nacionalitet maqedonas, sipas planit vjetor të institucionit për vitin 2022.
Një bashkëpunëtor i ri për pranimin dhe përpunimin e kërkesave për pagesa dhe dokumentacionit tjetër në zyrat e thesarit në Dellçevë. Duhet të ketë një diplomë në ekonomi ose juridik, por nuk duhet të ketë përvojë pune. Mund të aplikojë vetëm një maqedonas dhe për këtë pozitë paga mujore është 22 mijë denarë.
Një bashkëpunëtor i ri për përgatitjen e buxhetit dhe politikën buxhetore, i cili duhet të ketë diplomë në ekonomi, me ose pa përvojë pune në këtë profesion. Fillimisht ai do të marrë të njëjtën pagë prej 22 mijë denarë, ndërsa sipas përkatësisë etnike duhet të jetë edhe maqedonas.
Një bashkëpunëtor i ri për përgatitjen e buxheteve të pagesave dhe se i njejti do ketë pagë 22 mijë denarë.
Ministria e Financave kërkon edhe Nëpunës me arsim të mesëm dhe një vit përvojë pune. Ai duhet të jetë maqedonas, dhe rroga e tij prej 15 mijë denarë, e cila meqë ra fjala është më e ulët se minimumi, nuk është shumë motivuese.
Është hapur konkurs edhe për një Referent për resurset njerëzore. Kandidati duhet të ketë diplomë të shkollës së lartë ose të mesme dhe të paktën tre vjet përvojë, me pagë prej 16.495 denarë dhe duhet të jetë maqedonas.
Shef i departamentit për huamarrje dhe investime, i cili duhet të ketë diplomë në ekonomi ose juridik, të paktën katër vjet përvojë pune në këtë profesion, nga të cilat të paktën një vit në një punë në sektorin publik, ose së paku gjashtë vjet përvojë pune në profesion, nga të cilat të paktën dy vjet në pozicion drejtues në sektorin privat. Edhe ai duhet të jetë maqedonas dhe do të marrë pagë afër 30.000 denarë.
Më tej kërkohen:
konsulent përkthimi,
një bashkëpunëtor i ri i IT-së,
një bashkëpunëtor i ri për administrimin e rrjetit,
një bashkëpunëtor i ri për pagesat e përdoruesve të buxhetit,
një referent i lartë për Strugën,
një bashkëpunëtor i ri për çështje të lidhura me qeverinë,
një këshilltar kontabiliteti, një referent për punë kontabiliteti,
një këshilltar për monitorimin e mbledhjes së borxhit.
Katër prej tyre duhet të jenë shqiptarë, tre maqedonas dhe një turk. Pagat do të jenë nga 15 deri në mbi 26 mijë denarë.
Nuk dihet nëse punësimet e reja janë pasojë e daljes në pension apo e ndonjë dalje tjetër të punonjësve nga ato institucione, të cilat tani do të duhej të plotësoheshin, apo e një grumbullim i panevojshëm i punonjësve të rinj në sektorin publik, duke e stërngarkuar dhe fundosur administratën publike Kjo është ministria me përfaqësim të ulët të nëpunësve shqiptarë, edhe ministri është shqiptar. (INA)
SHPALLJA E PLOTE ZYRTARE KLIKO