Shmangia e kushtëzimeve në dialog

Shkruan: Blerim Shala 

Se si kemi mbërritur tek propozimi evropian  (i përkrahur nga SHBA-ja), për Marrëveshjen Themelore në mes të Kosovës dhe Serbisë, është një storie e gjatë e cila na shfaqet, pos tjerash, edhe me ato mundësitë e pashfrytëzuara nga te dy palët, por edhe nga Bashkimi Evropian (në radhë të parë), prej vitit 2013-të e këndej.

Nuk ia vlenë, së paku në rrethanat e tanishme, të harxhohet fare kohë në analizat të cilat do t’i trajtojnë këtë mundësi të huqura, apo, këto dështime evidente.

Edhe Autoritetet e Kosovës, edhe ato të Serbisë, kanë pranuar në parim Propozimin Evropian, gjë që hapë udhë për një proces shumë më dinamik të bisedimeve në Bruksel, për të hartuar Planin e zbatimit të Marrëveshjes Themelore, i cili do t’i qartësonte detyrimet e dy palëve karshi kësaj Marrëveshjeje.

Tani, kur së paku në parim ka ndodhur ky pajtim në mes të Prishtinës dhe Beogradit, autoritetet ndërkombëtare që janë në krye të kësaj ndërmarrjeje edhe ashtu mjaftueshëm sfiduese dhe të ndërlikuar, nuk do të duhej të lejonin kushtëzimin, në çfarëdo forme, të organizimit të takimeve në nivelin më të lartë.

Grupi i Kontaktit  (atëbotë edhe Rusia ishte së bashku me pesë shtetet kryesore të Perëndimt), në fillim të nëntorit të vitit 2005, pak pasi Presidenti Ahtisaari u emërua Emisar Special i Sekretarit të Përgjiithshëm të OKB-së për zgjidhjen e statusit të Kosovës, pati miratuar Parimet Prijëse për këtë proces.

Në tekstin e Grupit të Kontaktit, pos tjerash thuhej që një herë që ky proces do të nisë, ai nuk do të duhej të ndalej apo kushtëzohej me çkadoqoftë, deri në zbardhjen e statusit të Kosovës.

Megjithatë, shtyrje dhe zvarritje pati, me qëllim, nga pala serbe, sepse Beogradi zyrtar përpiqej që në çdo mënyrë të shmang epilogun e qartë të këtij procesi, pavarësinë e Kosovës.

Sidoqoftë, tani, në ambientin e sotëm politik rajonal dhe ndërkombëtar, kur dihet korniza kohore brenda të së cilës duhet të arrihet Marrëveshja Themelore për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë,  (pra, viti 2023), nuk do të duhej lejuar kurfarë justifikimi për ngadalësimin, apo edhe ngecjen e plotë, të kësaj ndërmarrjeje ndërkombëtare, pa të clën nuk mund të arrihet stabiliteti afatgjatë i Ballkanit Perëndimor.

Një gabim i këtillë kushtoi shumë shtrenjtë në vitin 2019, kur Brukseli pranoi kushtëzimin e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučićit, sipas të të cilit, ai nuk do të udhëtonte për Bruksel, për të zhvilluar takimin në nivelin më të lartë, para se Qeveria e Kosovës ta heq masën e tarifës ndaj produkteve serbe.

Më pas, edhe SHBA edhe BE patën pranuar që ka qenë gabim të pranohet kjo qasje e Presidentit të Serbisë.

Gjithmonë, në raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë, mund të shfaqet një shkas i cili do të mund pastaj të shfrytëzohej si pengesë për mbajtjen e takimit të radhës në Bruksel.

Washingtoni dhe Brukseli me siguri e kanë këtë parasysh.

Ditëve të fundit, Presidenti i Serbisë Vučić, i është kthyer modelit të veprimit që njeh paraqitjen e kushteve që ai të ia mësyjë Brukselit, ku do të duhej të zhvillohej takimi i parë me Kryeministrin Kurti pas atij të muajit nëntor, tani, në rrethana të tjera, kur dihet që te dy palët kanë mbështetur Propizimin Evropian.

Vučić po thot themelimi i Asociacionit/ Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, është hapi i parë dhe i domosdoshëm që duhet t’i paraparijë bisedimeve për Marrëveshjen Themelore.

Presidenti i Serbisë sillet në këtë mënyrë, mbi të gjitha për shkak të opinionit publik në Serbi.

Ai e di mirë që as në teori nuk mund të ketë trajtim të duhur të kësaj teme, para se në Veriun e Kosovës të legjitimohet pushteti i ri lokal, në zgjedhjet e 23 prillit, dhe para se të bëhet kthimi i zyrtarëve policorë dhe gjyqësorë në institucionet lokale të Kosovës.

BE-ja dhe SHBA-ja, në këtë organizimin e përbashkët të këtij procesi që duhet t’ia gjejë epilogun bisedimeve të Kosovës dhe Serbisë që po mbahen qe një çerek shekulli, e kanë të domosdoshme të ju shmangen këtyre grackave politike të Beogradit, të cilat nuk paraqesin farë befasie të madhe.

Edhe për këtë shkak, në Bruksel, sa më parë që është e mundur do të duhej të mbahej takimi i parë sivjet në mes të Kryeministrit Kurti dhe Presidentit Vučić, në të cilin do të nisnin bisedimet për hartimin e Planit të zbatimit të Marrëveshjes Themelore.