Shkup, prokurori sulmoi fizikisht një grua 40-vjeçare

Një prokuror nga Prokuroria e Shkupit e sulmoi fizikisht një grua 40-vjeçare. Ngjarja ndodhi të mërkurën rreth orës 22:00, kur në vend hyri në fuqi ora policore. Gjithçka filloi pasi gruaja nga Shkupi, fillimisht mori thirrje nga punonjësit social se nipi i saj i mitur ishte lënë vetëm në shtëpi pa mbikëqyrjen e prindërve. Nëna i kishte vdekur, ndërsa babai i tij nuk ishte aty. Ajo menjëherë ka shkuar ta marrë fëmijën. I ka telefonuar babait, i cili ndërkohë ishte kthyer në shtëpi. Por, ai kishte thirrë dy avokatë, dhe me gjasa ka mbërritur privatisht edhe prokurori.

Sipas denoncueses, M.M. së pari ka nisur debat verbal me të, pas së cilës e ka sulmuar fizikisht atë, dhe e ka kërcënuar atë dhe burrin e saj. Personat u intervistuan në stacion policie”, thonë nga MPB.

Alsat zbulon se gruaja e rrahur pas sulmit ka shkuar në spital. Mjekët kanë konstatuar lëndime. Pasi ka mbaruar me kontrollet, e frikësuar nga kërcënimet e bëra nga prokurori ndaj saj dhe familjes së saj, ajo ka raportuar rastin në polici në orën 01 të mëngjesit. Ngjarja u konfirmua sot nga Qendra Ndër-Komunale për Punë Sociale në Shkup. Nga atje, për Alsat thanë se kanë vendosur ti telefononin tezes pasi kishin marrë një raport anonim, se fëmija i mitur kishte mbetur vetëm në shtëpi. Ata e thirrën atë, si një nga të afërmit më të afërt, për të mos shkuar me polici, sepse kanë vlerësuar se kjo do ta stresonte më tej fëmijën. Punonjësit social kanë biseduar tashmë me të.

Një ekip ekspertësh vepron pas informacioneve të marra në lidhje me rastin, dhe po ndërmerr masa dhe aktivitete për mbrojtjen e fëmijëve”, thonë nga Qendra Ndër-Komunale për Çështjet Sociale -Shkup

Pyetëm prokurorinë nëse ka arritur te ata ndonjë raportim nga policia në lidhje me prokurorin e dhunshëm?

Deri më sot, Prokuroria Themelore Publike në Shkup nuk ka marrë asnjë njoftim nga Ministria e Brendshme, as kallëzim penal për ngjarjen, për të cilën tregoni interes. Nëse arrijnë, Prokuroria do të veprojë në përputhje me Ligjin për Procedurën Penale”, thonë nga PTHP.

Në Ligjin për Prokurorinë Publike përshkruhen dy lloje të procedurave disiplinore për një prokuror – të vështira dhe të lehta. Dënimi minimal i mundshëm do të ishte vërejtje dhe ulja e pagës, dhe maksimumi – shkarkimi./ALSAT