Shkup, nxënësit e shkollave të mesme protestojnë kundër ndotjes

Nxënësit e disa shkollave të mesme në Shkup sot kanë protestuar kundër ndotjes së ajrit.

Nxënësit protestuan para Kuvendit dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinor, kurse më pas u bashkuan me “Frontin e gjelbër” para godinës së Qeverisë.

Shumë qytete të Maqedonisë së Veriut mbeten në krye të listës së vendeve me ajrin më të ndotur në nivel botëror.

Stacionet matëse të Ministrisë së Mjedisit tregojnë nivele të larta të ndotjes së ajrit në Kërçovë, Manastir, Tetovë, Strumicë, Shkup dhe qytetet e tjera të vendit duke shënuar praninë e grimcave kancerogjene PM10 në disa vende edhe mbi 150 mikrogramë për metër kub.

Por, autoritetet e vendit thonë se akoma nuk është nevoja të ndizet drita e kuqe për të aplikuar masat urgjente.

Nën moton “Ata pasurohen ne helmohemi” kanë filluar të parët të premten protestën kundër ajrit të ndotur, nxënësit e shkollave të mesme.