Shkup, 38 të ndaluar për mosrespektim të orës policore

Nga vizita që u bëmë sot disa lagjeve të Shkupit, vërehej se qytetarët që kanë vendosur të “mos arratisen” nga kryeqyteti, po respektojnë kufizimin e lëvizjes. Nëpër rrugët e Shkupit sot u pa një numër shumë I vogël veturash, drejtuesit e të cilave kishin leje të veçantë për lëvizje. Deri në pikën e parë të pagesës në autostradën Shkup – Tetovë, ekipi i televizionit Alsat arriti dy herë më shpejtë krahasuar me kohën që nevojitet gjatë një dite të zakonshme. Punonjësit në pikën pagesore në Saraj, edhe pse ishin në vendet e tyre të punës, pothuajse nuk kishin punë. Sipas informacioneve jozyrtare, dje këtë pikë pagesore e kanë kaluar mbi 20 mijë qytetarë.
Për dallim prej sot, gjatë natës së kaluar 48 persona nuk kanë respektuar kufizimin e lëvizjes. 38 prej tyre, siç informon MPB-ja, janë arrestuar. Policia ka kryer kontrolle të personave në izolim-vetizolim, ku janë regjistruar 7 shkelje të masës së izolimit-vetizolimit. Gjatë 24 orëve të fundit është marrë vendim për izolimin e 166 personave, ndërsa 197 të tjerë kanë nënshkruar deklaratë për vetizolim.