Bilanci i viktimave nga dy tërmetet e fuqishme që goditën Venezuelën më 24 qershor është rritur në 3,811 persona, ndërsa mijëra të tjerë kanë mbetur të plagosur ose pa strehë. Lajmi u bë i ditur nga presidenti i Parlamentit, Jorge Rodriguez, gjatë një fjalimi televiziv.
Sipas tij, deri më 8 korrik janë konfirmuar 3,811 viktima, një rritje krahasuar me bilancin e mëparshëm prej 3,685 të vdekurish.
Autoritetet venezueliane raportojnë se nga katastrofa janë plagosur 16,740 persona, ndërsa ekipet e shpëtimit kanë nxjerrë të gjallë 6,462 qytetarë. Gjithashtu, 86,794 familje kanë marrë ndihmë emergjente, ndërsa 17,907 persona kanë mbetur pa banesë
Dy tërmetet, me magnitudë 7.2 dhe 7.5 të shkallës Rihter, goditën vendin me vetëm 39 sekonda diferencë. Dëmet më të mëdha u regjistruan në pjesën veriore të Venezuelës, veçanërisht në shtetin La Guaira.
Ndërkohë, presidentja në detyrë, Delcy Rodriguez, njoftoi se i ka dërguar një letër Mbretit Charles III të Britanisë së Madhe, duke kërkuar lirimin e rreth 30 tonëve ar venezuelian të bllokuar në Bankën e Anglisë si pjesë e sanksioneve ndërkombëtare.
Sipas saj, këto rezerva i përkasin popullit venezuelian dhe duhet të përdoren për financimin e rindërtimit të zonave të prekura nga tërmetet.
Edhe ministri i Jashtëm, Ivan Hill, ka kërkuar gjatë një takimi virtual të organizuar nga Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) lirimin e fondeve shtetërore të ngrira jashtë vendit për të përballuar pasojat e katastrofës.
Kërkesa për lirimin e arit nuk është e re. Edhe gjatë pandemisë COVID-19, qeveria e presidentit Nicolas Maduro kërkoi akses në rezervat e arit të mbajtura në Britaninë e Madhe, por kërkesat u refuzuan nga autoritetet dhe gjykatat britanike.



