Shkon në 304 numri i të vdekurve nga tërmeti në Haiti

Të paktën 304 persona kanë humbur jetën dhe mbi 2 mijë janë lënduar si pasojë e tërmetit me magnitudë 7,2 ballë që goditi dje brigjet e Haitit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Shërbimi Gjeologjik Amerikan (USGS) njoftoi se shumë dridhje ndodhën pas tërmetit me magnitudë 7,2 ballë.

Agjencia e Mbrojtjes Civile e Haitit deklaroi se numri i të vdekurve nga tërmeti u rrit në 304, ndërsa ai i të lënduarve në mbi 2 mijë.

Autoritetet njoftuan se qindra të lënduar janë nxjerrë nga rrënojat gjatë përpjekjeve të kërkimit dhe shpëtimit, dhe numri i saktë i viktimave nuk dihet.

Vendi, i cili pësoi dëme të mëdha, bëri thirrje për ndihmë ndërkombëtare.

Ndryshe, USGS njoftoi se epiqendra e tërmetit ishte 12 kilometra në verilindje të komunës Saint-Jean-du-Sud, në një thellësi prej 10 kilometrash.

Pas tërmetit të ndier në Port-au-Prince, kryeqytetin e Haitit, njerëzit dolën në rrugë në panik.

Pas një kohe, USGS hoqi paralajmërimin për cunami pas tërmetit.

Kryeministri Haitian Ariel Henry tërhoqi vëmendjen për dëmet e mëdha të shkaktuara, duke shpallur po ashtu gjendje të jashtëzakonshme njëmujore në vend.

Më 12 janar të vitit 2010, Haiti u godit nga një nga tërmetet më vdekjeprurës në shekullin e fundit.

Sipas shifrave zyrtare, tërmeti në jug të vendit shkaktoi 316 mijë të vdekur dhe rreth 300 mijë të lënduar.

Shkatërrimet e mëdha bënë që 1,3 milion njerëz të mbesin pa shtëpi.