Shkon në 277 numri i të prekurve me koronavirus në Shqipëri, 16 viktima

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në Shqipëri ka njoftuar se numri i personave të vdekur nga Covid-19 është rritur në 16, ndërsa numri i rasteve të konfirmuar pozitiv në 277.

Në njoftimin zyrtar të ministrisë thuhet se mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë një pacient 78- vjeçar nga Durrësi i konfirmuar me koronavirus.

“Deri tani janë 16 persona që kanë ndërruar jetë nga COVID-19 në Shqipëri. Në 24 orët e fundit janë testuar 96 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 18 raste të reja me COVID-19. Deri në këto momente janë testuar 1919 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 277 raste, nga të cilët vetëm 8 janë fëmijë”, theksohet në njoftim.