“Euractiv”: Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO e zemëroi Rusinë

Flag raising ceremony to mark the accession of North Macedonia to NATO with remarks by NATO Secretary General Jens Stoltenberg and the Chargé d’Affaires of the Delegation of North Macedonia to NATO, Zoran Todorov

Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë me anë të një kumtese tentoi ta nënçmojë dhe nënvlerësojë anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, potencon portali i Brukselit “Euractiv”, duke vlerësuar se anëtarësimi i vendit në Aleancë paraqet “goditje të re ndaj shpresave të Moskës se do ta mbajë ndikimin e saj ndaj Ballkanit Perëndimor, pasi paraprakisht edhe Mali i Zi dhe Shqipëria vendosën t’i bashkëngjiten Paktit.

Portali përkujton se flamuri i Maqedonisë u ngrit para selisë së NATO-s në Bruksel në një ceremoni modeste me vëmendje të vogël mediatike, si rezultat i pandemisë me koronavrusin.

“Duket se Rusia përfitoi nga kjo, duke theksuar mungesën e pompimit në krahasim me zgjerimet paraprake të NATO-s” shton “Euroaktiv”.

Portali thekson edhe se Ministria e Punëve të Jashtme ruse ka dalë me koment ironizues në deklaratat e ministrit të Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov se edhe krahas gjendjes së jashtëzakonshme në vend, liderët e Maqedonisë ndanë kohë ta shënojnë rëndësinë historike të anëtarësimit në NATO, që siç potencon shefi i diplomacisë, do të sigurojë stabilitet dhe siguri në vend dhe paraqet përmbushjen e “premtimit të baballarëve dhe gjyshërve tanë”.

“Euraktiv” thekson se MPJ-ja ruse potencon se Dimitrov nuk ka përmendur që data zyrtare e anëtarësimit në Aleancë, pothuajse është përputhur me përvjetorin e fillimit të sulmeve të NATO-s ndaj ish RF të Jugosllavisë.

Portali thotë se gjatë sulmeve ajrore të NATO-s ndaj Ish RF të Jugosllavisë, të cilat zgjatën nga 24 marsi deri më 10 qershor të vitit 1999, “Republika e Maqedonisë vuajti indirekt për shkak të fluksit të shumë refugjatëve nga Kosova”.

“Për dallim nga Beogradi, i cili ka deklaruar se nuk do të bëhet kurrë anëtar i NATO-s, Shkupi vazhdimisht ka kërkuar anëtarësim në NATO. Pengesa kryesore ishte vetoja nga Greqia fqinje, e nxitur nga kontesti për emrin e vendit, i cili u zgjidh me Marrëveshjen e Prespës më 12 qershor të vitit 2018, përkujton “Euraktiv”, duke shtuar se Rusia ka provuar të marrë pikë duke përmendur edhe disa “parregullsi ligjore” për mënyrën e ratifikimit të Marrëveshjes së Prespës, dhe në veçanti pjesëmarrjen e ulët në referendumin e mbajtur në Maqedoninë e Veriut më 30 shtator të vitit 2018. ”

“Euraktiv” thekson se Rusia më tej vëren se “një vend i dobët si Maqedonia e Veriut vështirë se do ta rrisë fuqinë e Aleancës” dhe se “nuk kontribuon në mënyrë shtesë në sigurinë evropiane, rajonale ose kombëtare”.

Sipas portalit, Moska po përpiqet të nënvlerësojë edhe përfitimet për vendin nga anëtarësimi në NATO, duke i cilësuar ata “të dyshimtë” dhe duke theksuar se “Aleanca nuk është gjithmonë në gjendje të mbrojë me siguri anëtarët e saj” dhe se “populli i Maqedonisë do të duhet ta paguaj çmimin duke hequr dorë nga sovraniteti i tij mbi çështjet ushtarako-politike dhe çështje të tjera”.

“Rusia shpresonte për zvarritje të ratifikimit për pranimin e Shkupit në NATO nga vendet anëtare dhe të llogarisë në opozitën anti-perëndimore brenda vetë Maqedonisë, duke shpresuar se do të vijë në pushtet partia nacionaliste e VMRO-DPMNE e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski dhe do ta prishte agjendën për anëtarësimin në NATO”, përfundon Euraktiv.