Shkarkimi i Mizrahit, VMRO-ja nuk propozon ministër të ri

Kuvendi u shpërnda pa zgjedhjen e ministres së re të punës dhe politikës sociale meqë VMRO DPMNE-ja deri në shpërndarjen e Kuvendit nuk paraqiti propozim për atë se kush do ta zëvendësojë ish ministren, Rashella Mizrahi. Në pyetjen se a do të propozojnë kandidat për ministër të ri, koordinatori i grupit të deputetëve të VMRO-së, Nikolla Micevski, para votimin për shpërndarjen e Kuvendit u shpreh.

Gjithë këtë që po bënë ky pushtet, nuk është gjë tjetër pos përpjekja për të ikur nga zgjedhjet. VMRO DPMNE-ja po e sheh se si kërkojnë mënyra të ndryshme për t’iu shmangur zgjedhjet. Prandaj ne jemi këtu për shpërndarjen e Kuvendit – tha Nikolla Micevski- VMRO DPMNE.

Disa orë para se deputetët të votojnë për shpërndarjen e institucionit ligjvënës, kryeministri Oliver Spasovski edhe njëherë i kishte bërë thirrje VMRO DPMNE që të propozojë emër për ministër të punës dhe politikës sociale në Qeverinë teknike.

I bëj thirrje drejtuesve të partisë që të ngrihet në nivelin e momentit dhe të tregojnë sjellje të përgjegjshme. Ta vendosin interesin e shtetit dhe qytetarëve në plan të parë dhe me propozimin për ministër të ri të punës dhe politikës sociale të marrin pjesë në organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira, demokratike dhe të ndershme dhe në këtë mënyrë të kontribuojnë në arritjen e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut -ka shkruar Spasovski në FB.

Ndryshe qeveria në mbledhjen e fundit ka anuluar të gjitha vendimet e Mizrahit për ndryshime kadrovike në Ministri që i ka nënshkruar ditën kur u shkarkua. Mizrahi u zgjodh ministre teknike e punës në qeverinë e kryeministrit teknik Spasovski më 3 janar. Sipas burimeve parlamentare, në raste të tilla hyn në fuqi Ligji për Qeverinë, ku parashikohet që punën e ministrit ta marrë përsipër zv/ministri.