Shitja e “shlivovicës” së Shumadisë në Kosovë u bë temë më e rëndësishme se pavarësia

Enver Robelli
Pse është fatale për një vend kur udhëhiqet me vite nga politikanë që për të shpëtuar veten nga drejtësia nxjerrin edhe shtetin në pazar?
Nuk duhet të zgjidhen në poste të larta shtetërore politikanë që kanë probleme me ligjin, politikanë që mund t’i marrë peng e kaluara e tyre, politikanë që frikësohen se mund të përballen me hetime, aktakuza e procese gjyqësore. Kur të tillë politikanë zgjidhen në poste të larta, ata së pari e shikojnë interesin personal, pra shpëtimin e lëkurës së tyre. Për të shpëtuar lëkurën personale, politikanët nxjerrin në pazar interesat publike: territorin, rregullimin e brendshëm, resurset shtetërore, ligjet, Kushtetutën. Pra, gati çdo gjë. Për të shpëtuar lëkurën nga problemet me ligjin, politikanët fusin duart thellë në arkën e shtetit dhe për interesa private paguajnë lobistë ndërkombëtarë dhe mercenarë e propagandistë lokalë.
Veçanërisht në dekadën e fundit Kosova është drejtuar nga politikanë që krejt investimet “politike” i kanë bërë për të mbetur “faktor politik” karshi bashkësisë ndërkombëtare. Kështu ata kanë shpresuar se shpëtojnë nga drejtësia. Në fillim të dekadës (nga viti 2010) politikanët e proveniencës së nëntokës së Prishtinës flisnin me fjalor proeuropian dhe lavdëronin çdo budallallëk që e nënshkruanin në Bruksel. “Marrëveshje historike” thuhej në vitin 2013. Kur u pa se kjo s’qe as marrëveshje, as historike, u nxor në pazar territori i Kosovës, duke mobilizuar lobistë dhe duke ua shitur këtë ide edhe diplomatëve që nuk dinë asgjë për historinë e Ballkanit dhe shtetformimin e përgjakshëm të Kosovës, por janë të etur të profilizohen për karrierën e tyre.
Në fund të dekadës (afërsisht nga vera e vitit 2018), politikanët e nëntokës kosovare nisën të llomotisin retorikë antieuropiane me shpresën se padroni i Shtëpisë së Bardhë, i cili drejtësinë e sheh si pengesë për gati çdo punë të tij, do t’i shpëtojë nga drejtësia. Në këto përpjekje për pazare Kosova është vetëm një strajcë që bartet nga dora në dorë për interesa të një grupi njerëzish që kanë kapur shtetin. Në këto allishverishe qytetarët e Kosovës nuk janë askund.
Si më 2013 edhe tani po tentohet të shiten kopalla për “marrëveshje historike”. Në të vërtetë, në këtë mes historike ka rrezik të jetë vetëm hyrja e Serbisë në Shtëpinë e Bardhë. E derën e Shtëpisë së Bardhë, Serbisë ia kanë hapur edhe dallaveraxhinjtë politikë të Prishtinës, duke shpresuar se një marrëveshje xhentëlmenësh me shefin e Shtëpisë së Bardhë do t’ua sigurojë sundimin e përjetshëm në Kosovë, natyrisht edhe falë ndihmës së oligarkisë transballkanike. Autokratët e përkrahin njëri-tjetrin. Sidomos në Ballkan.
Tani si sukses i madh opinionit të Kosovës i shitet fakti se për një vit Prishtina nuk guxon të aplikojë askund për t’u pranuar në organizata ndërkombëtare. Sa paraja u dogj me vite për “lobim” për hyrje në Interpol? Tani shtetësia e Kosovës ka zbritur në problem të shitjes së shlivovicës së Shumadisë në dyqanet e Pejës, Gjakovës, Gjilanit dhe Prishtinës.
Si erdhi Kosova deri këtu? Si u fut në këtë qorrsokak? U fut për shkak se në postet më të larta u zgjodhën politikanë që prioritet e kanë sundimin e kastës së tyre të korruptuar dhe jo prosperitetin dhe mirëqenien qytetare. U fut në këtë udhë pa krye Kosova “falë” aleancave joparimore mes partive që duan të sundojnë disa muaj apo vite. U fut në këtë moçal Kosova edhe për shkak të letargjisë së përgjithshme shoqërore. As Amerika, as BE nuk i kanë zgjedhur direkt këta udhëheqës. Një pjesë e madhe e qytetarëve të Kosovës i kanë zgjedhur këta politikanë. Dhe në të ardhmen, si deri më tani, çmimin e këtyre gabimeve do ta paguajnë qytetarët e Kosovës. Kjo nuk është befasi kur në postet kryesore të shtetit në dekadën e fundit Kosova ka pasur politikanë të shantazhueshëm. Të tillë që sot janë proeuropianë, nesër bëhen antieuropianë. Pa asnjë problem.
Ngatërresa mes Kosovës dhe Serbisë nuk është shkaktuar për shkak të pamundësisë së firmave serbe për të shitur shlivovicë në dyqanet kosovare. Ngatërresa po vazhdon për shkak se Serbia saboton e minon çdo përparim në Kosovë. Dhe në vend se kjo qasje e Beogradit të bllokohet, politikanët e Prishtinës e kanë parë të udhës të hyjnë në aventura. Tash flitet për shitje të shlivovicës, sepse çështjet e tjera, si refuzimi i Serbisë për të pranuar shtetin e Kosovës, është “simbolikë” për të cilën s’duhet të flitet. Mirë, le të flitet për shlivovicë tani.