Shfuqizimi i masave anti-COVID sot në mbledhje të Qeverisë së Maqedonisë

Certifikata për infektim të vlejë 180 ditë në vend të 45 ditëve, kthimi i grave shtatzëna në punë, kthimi i studentëve në fakultete me prani fizike, dalje nga shteti pa vërtetime për vaksina të pranuara, test negativ PCR ose certifikatë për infektim si dhe heqja e certifikatave gjatë hyrjes në qendrat tregtare janë kërkesat e Komisionit për Sëmundje Ngjitëse e që u pranuan nga Shtabi i Krizës dhe sot janë në mbledhjen e qeverisë.

Nëse miratohen këto masa në fuqi do të mbeten mbajtja e maskave në hapësira të mbyllura, ndërsa Komisioni për Sëmundje Ngjitëse për këtë çështje do të bisedojë në mbledhjen e ardhshme.

Nga ky komision theksojnë se gjendja epidemiologjike në Maqedoni është stabile, pa ngarkim të kapaciteteve spitalore, ndërsa numrat e rasteve të reja me COVID-19 vazhdimisht bien.

Po ashtu edhe prindërit kërkojnë që mbajtja e maskave gjatë mësimit të hiqet, ndërsa sipas informacioneve të para, heqja e maskave do të jetë vetëm gjatë orës së edukatës fizike.