Sherr masiv në Tetovë – Më shumë persona rrahin një 56 vjeçar me sende të forta

Një sherr masiv është raportuar të ketë ndodhur ditën e hënë në Tetovë, ku siç përcjell KlanM, një 56 vjeçar ka marrë lëndime të rënda trupore.

Sipas njoftimit të policisë një 37 vjeçar nga Xhepçishti i Tetovës është arrestuar, pasi bashkë me disa persona tjerë, dyshohen se me sende të forta dhe të mprehta kanë sulmuar 56 vjeçarin nga Sllatina e Tetovës.

Siç përcjell KlanM, i lënduari është dërguar me urgjencë në Spitalin Klinik në Tetovë.

Nga MPB thonë se po kryejnë hetimet e nevojshme dhe se pas dokumentimit të plotë do të ngrihen kallëzimet përkatëse.

“Zyrtarët policorë të SPB-Tetovë kanë privuar nga liria B.M.(37) nga Xhepçishti i Tetovës, i cili së bashku me disa persona të tjerë rreth orës 11:45 në rrugën “Bllagoja Toska” Tetovë kanë shkelur rendin dhe qetësinë publike dhe kanë sulmuar fizikisht 56-vjeçarin A.B. nga Sllatina e Tetovës. Sipas njoftimit, sulmuesit kanë përdorur sende të forta dhe të mprehta me të cilat i kanë shkaktuar lëndime personit A.B., pas së cilës i njëjti është transportuar për ndihmë mjekësore në Spitalin klinik të Tetovës. Ekipi i SPB- Tetovë ka kryer kontroll dhe po ndërmerren masa për pastrimin dhe dokumentimin e rastit. Me ç’rast, përveç B.M. i cili është i ndaluar në Stacionin Policor të Tetovës, lidhur me këtë rast, dje pasdite në intervistë zyrtare janë thirrur personat B.M. (60) nga Tetova dhe A.M. (43) nga Xhepçishti”, thuhet në raportin e MPB-së./KlanMacedonia