Sheqerinska-Bërns: SHBA-të dhe RMV-ja ndajnë vlera të përbashkëta

Ambasadorja e SHBA-së në Shkup, Kate Marie Byrnes, sot ia dorëzoi flamurin amerikan ministres së Mbrojtjes Radmilla Shekerinska, në shenjë të meritës për bashkëpunimin në mbrojtje ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në fjalimin e saj gjatë kësaj ceremonie, Byrnes tha se Armata e Maqedonisë së Veriut po përparon shpejtë në modernizimin, integrimin në NATO dhe zhvillimin e vazhdueshëm të forcave të armatosura me standardet e NATO-s.

KATE MARIE BYRNES, AMBASADORE E SHBA-së

“Si anëtari më i ri i Aleancës, Maqedonia e Veriut veç më shihet si kontribuues i NATO-s dhe është duke ndihmuar në ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Dhe nën udhëheqjen tuaj Shtetet e Bashkuara dhe Maqedonia e Veriut kanë thelluar raportet e tyre bilaterale në fushën e mbrojtjes si asnjëherë deri më tani në bashkëpunimin 28 vjeçar në mbrojtje”.

Ndërkohë, Shekerinska tha se bashkëpunimi mes SHBA-së dhe Maqedonisë së Veriut ka dhënë rezultate të jashtëzakonshme, pasi përkrah interesit, dy vendet ndajnë edhe vlera të përbashkëta.

RADMILA SHEQERINSKA, MINISTRE E MBROJTJES

“Vlerat e shkruara në kushtetutat tona dhe të kënduara në himnet tona, liri, të drejta të njeriut, demokraci. Vlera të cilat shpeshherë i vlerësojmë si të dhëna, të garantuara. Vlera që i vlerësojmë më shumë atëherë kur cenohen. Pikërisht ato vlera, ndarja e atyre ideve mundësuan që partneriteti ynë të rritet në aleancë”.

Shekerinska është ministrja e parë e Maqedonisë së Veriut që merr si dhuratë flamurin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës si simbol i bashkëpunimit të shkëlqyer në mes dy vendeve./KlanMacedonia