Shënohet “Java e Shëndetit të Gruas”, apelohet për kujdes të shtuar ndaj sëmundjes së kancerit

Në organizim të Shoqatës së Gjinekologëve dhe Obsteterëve Maqedonas, sot në Qendrën Kulturore Rinore në Shkup do të shënohet “Java e Shëndetit të Gruas”, me rastin e Javës Botërore të Shëndetit të Gruas nga 8 deri më 14 maj 2022.

Ngjarja është pjesë e fushatës “MAGO” për të ofruar mbrojtje më të mirë institucionale për gratë gjatë gjithë jetës, si dhe informacion profesional shëndetësor për të gjitha ekzaminimet parandaluese dhe sjelljet që do të kontribuojnë në ruajtjen e shëndetit të grave.

Sipas organizatorëve, eventi do të prezantojë aktivitetet dhe fushatat e kaluara dhe të ardhshme të MAGO-s, e cila së bashku me disa institucione dhe organizata përkatëse fillojnë një proces të edukimit të vazhdueshëm për shëndetin e grave dhe nxitjes së ndryshimeve sociale në këtë fushë.

Folës në këtë aktivitet do të jenë prof. Goran Dimitrov, prof. Ana Daneva, Asoc. Dr. Daniela Ivanova Panova dhe prof. Dr. Gligor Tofoski.

Shoqata e Gjinekologëve thekson se qëllimi dhe nevoja për të shënuar këtë javë të rëndësishme është të thyejmë stigmat dhe barrierat që vajzat dhe gratë kanë për shëndetin e tyre riprodhues dhe seksual, për të rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e ekzaminimeve të rregullta gjinekologjike në parandalimin e pesë llojeve të kancerit gjinekologjik, për të theksuar rëndësinë e edukimit të vazhdueshëm si dhe për të siguruar pjesëmarrje më aktive të meshkujve në shëndetin seksual dhe riprodhues.

Sipas sondazheve dhe hulumtimeve të kryera dhe situatave të analizuara nga Shoqata e Gjinekologëve dhe Obsteterëve, rezulton se 30 deri në 40 për qind e grave, duke përfshirë edhe vajzat e reja, nuk e dinë se çfarë e shkakton kancerin e qafës së mitrës, dhe pas anketimit statistika ka treguar se më shumë se 60 për qind nuk shkojnë për kontroll të rregullt gjinekologjik një herë në vit, dhe më shumë se 40 për qind në RMV nuk kanë zgjedhur gjinekologun e regjistruar.

Sondazhi zbuloi se 20 për qind e studentëve besojnë se prezervativët mund të ndihmojnë vetëm në parandalimin e shtatzënisë dhe jo në parandalimin e infeksioneve seksualisht të transmetueshme, dhe 20 për qind e studentëve besojnë se pilulat kontraceptive do t’i mbrojnë ata nga infeksionet seksualisht të transmetueshme.