Shembja e tunelit, vijnë pamjet e para në nëntë ditë, të disa punëtorëve indianë të bllokuar në një tunel

Një kamerë thuhet se ka kapur pamjet e 41 punëtorëve të bllokuar në një tunel në shtetin Uttarakhand të Indisë – për herë të parë në nëntë ditë.

Sipas mediave të huaja, videoja u filmua duke përdorur një kamerë endoskopike që u fut brenda një tubi të ri të shpuar në tunel të hënën.

Ekipet e shpëtimit përdorën gjithashtu tubin për t’u dhënë punëtorëve vaktin e parë të nxehtë brenda disa ditësh.

Deri më tani, ata ushqeheshin me ushqime të dërguara përmes një tubi më të ngushtë të futur më parë.

Siç bëhet e ditur, tuneli në ndërtim e sipër pati një shembje pas një rrëshqitjeje dheu.

Kontakti me burrat e bllokuar u vendos menjëherë pas kësaj dhe atyre u ishte siguruar oksigjen, ushqim dhe ujë që atëherë.

Ngjarja ndodhi mëngjesin e 12 nëntorit në distriktin Uttarkashi të shtetit verior.