Shefi i diplomacisë hungareze Sijarto në Shkup, do të dorëzojë ndihmë për ballafaqim me koronavirusin

Ministri i Punëve të Jashtme dhe i Tregtisë së Hungarisë, Peter Sijarto, sot, do të qëndrojë për vizitë pune në Republikën e Maqedonisë së Veriut, gjatë së cilës janë paraparë takime me shefin e diplomacisë Nikolla Dimitrov, si dhe me përfaqësues tjerë të lartë në vend.

Siç bëri të ditur MPJ-ja, bashkëpunimi në përballje me pandeminë globale KOVID-19 do të jetë në fokus të bisedimeve, ndërsa në këtë kontekst së bashku me delegacionin hungarez do të mbërrijë edhe ndihmë konkrete për Maqedoninë e Veriut, për tejkalim më të lehtë të këtyre sfidave.

“Gjatë takimit do të shkëmbehen edhe informacione për hapat e mëtejshëm në agjendën evropiane të vendit pas marrjes së vendimit pozitiv të Këshillit për Punë të Përgjithshme të BE-së për fillimin e negociatave aderuese me Maqedoninë e Veriut. Do të shqyrtohen edhe marrëdhëniet dypalëshe, mundësitë për avancim të mëtejshëm, si dhe thellim të bashkëpunimit dhe solidaritetit midis të dyja vendeve, por edhe në suaza të Bashkimit Evropian”, theksojnë nga Ministria e Jashtme.