SHBA pritet të vendosë sanksione kundër rusëve në lidhje me helmimin e Navalny

Shtetet e Bashkuara pritet të vendosin sanksione ndaj rusëve këtë javë, të cilët janë të lidhur me helmimin e opozitarit Alexei Navalny. Një raport i Reuters thotë se tri burime e konfirmuan këtë informacion sot, por ata refuzuan të identifikojnë se për cilët shtetas rusë bëhej fjalë. Departamenti i Shtetit nuk komentoi njoftimin e futjes së sanksioneve dhe një ekspert i lartë i OKB-së për të drejtat e njeriut vlerësoi sot se ish-presidenti i SHBA Donald Trump është përgjegjës pasi ai nuk bëri asgjë për të ndëshkuar rusët që janë përgjegjës për përpjekjen për të likuiduar Navalny.

Muajin e kaluar, presidenti i SHBA-së Joseph Biden vlerësoi se arrestimi i Navalny pas kthimit nga trajtimi në Gjermani ishte i motivuar politikisht dhe kërkoi lirimin e tij.

Biden bëri thirrje gjithashtu për një qëndrim më të ashpër ndaj Rusisë dhe njoftoi se Uashingtoni nuk do të “kthente kokën” përpara veprimeve agresive nga Kremlini.