SHBA-ja jep 150 milionë dollarë ndihma për zonat e çliruara nga Shteti Islamik

epa09807605 US State Secretary Antony Blinken attends a press conference in Riga, Latvia, 07 March 2022. Blinken is on an official visit to Lithuania, Latvia and Estonia to discuss Russia's invasion of Ukraine, the security situation in Europe and the reinforcement of NATO's defense capabilities in the Baltic States, including US military presence in the region. EPA-EFE/TOMS KALNINS

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha më 8 qershor se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i ofronin afro 150 milionë dollarë ndihma për zonat në Siri dhe Irak që u çliruan nga grupi ekstremist i Shtetit Islamik.

Blinken njoftoi për këto ndihma gjatë pjesëmarrjes në një konferencë të organizuar nga Arabia Saudite për ta luftuar grupin Shteti Islamik – i cili nuk kontrollon më asnjë territor, por filialet e të cilit ende kryejnë sulme në Afrikë, Azi dhe Lindje të Mesme.

Koalicioni Global për të mposhtur IS-in përfshin më shumë se 80 vende dhe vazhdon të koordinojë veprimet kundër grupit ekstremist, i cili më parë kishte kontrolluar pjesë të mëdha të Sirisë dhe Irakut. Blinken tha se zotimi prej 150 milionë dollarësh i SHBA-së është pjesë e një plani të ri për financim që arrin në më shumë se 600 milionë dollarë.

“Kushtet e dobëta humanitare dhe të sigurisë. Mungesa e mundësive ekonomike. Këto janë lëndë djegëse për llojin e dëshpërimit me të cilin ISIS [Shteti Islamik] ushqehet dhe rekruton”, tha ai në një fjalim të shkurtër në hapjen e konferencës. “Pra, ne duhet të qëndrojmë të përkushtuar ndaj qëllimeve tona të stabilizimit”.

Blinken nuk e specifikoi, por agjencia e lajmeve AP raporton se ndihmat amerikane për Sirinë pritet të rrjedhin përmes aleatëve kurdë,OKB-së ose grupeve ndërkombëtare të ndihmës, në një kohë kur SHBA-ja dhe vendet e tjera të Perëndimit kanë vendosur sanksione ndaj qeverisë së presidentit sirian, Bashar Assad.

Blinken ishte njëri ndër organizatorët e konferencës si pjesë e një vizite dyditore në Arabinë Saudite, në të cilën ai u takua me zyrtarë të lartë sauditë, përfshirë udhëheqësin de fakto të vendit, princin e kurorës, Mohammed bin Salman. Blinken mori pjesë gjithashtu në një takim të ministrave të jashtëm të Gjirit.

Shtetet e Bashkuara janë detyruar të rikalibrojnë aleancën e tyre prej dekadash me Arabinë Saudite, ndërsa mbretëria kërkon të transformohet në një lojtar global të palidhur me Uashingtonin.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se Blinken u angazhua në diskutime të gjera me zyrtarë sauditë dhe zyrtarë të tjerë për disa tema, përfshirë përfundimin e luftës në Jemen, mbështetjen e një armëpushimi në Sudan të ndërmjetësuar nga SHBA-ja dhe Arabia Saudite dhe reduktimin e përplasjeve izraelito-palestinez.

Në deklaratë thuhej se ai ngriti gjithashtu shqetësime për të drejtat e njeriut, por nuk ishte e qartë nëse ai i kishte bindur sauditët ta lironin ndonjë të burgosur ose të hiqnin ndalesat në udhëtime./REL