ShBA-ja i dhuron Policisë së Kosovës 7 dronë për ta luftuar krimin

Policia e Kosovës ka mbajtur sot një konferencë për medie me ç’rast është bërë nënshkrimi i pranim-dorëzimit të donacionit me dronë për Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor të Kosovës.

Në këtë ngjarje kanë marrë pjesë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës kolonel, Gazmend Hoxha si dhe ambasadori i amerikan, Jeffrey Hovenier.

Drejtori i PK-së, Gazmend Hoxha, e ka siguruar ambasadorin amerikan se këto pajisje do të përdoren vetëm për shërbime të ligjshme në të mirë të qytetarëve brenda territorit të Kosovës.

“E vlerësojmë ndihmën që kemi pranuar gjatë viteve nga Ambasada Amerikane, e në veçanti gjatë ditëve të vështira në Banjskë ku e humbën një rreshter të policisë, Afrim Bunjaku”, ka thënë Hoxha.

“Është një donacion jashtëzakonisht i nevojshëm dhe i çmueshëm për Policinë e Kosovës. Do të ndikojë në ngritjen e kapaciteteve të PK-së për të menaxhuar situata për monitorimin e kufijve të Kosovës dhe operacioneve tjera që policia do t’i kryejë në të ardhmen”, ka shtuar.

Tutje, ai ka thënë se këta janë dronë dhe pajisje që janë përzgjedhur nga ekspertët e PK-së në bashkëpunim ke ekspertë të Qeverisë Amerikane.

“Mund ta garantoj ambasadorin se PK-ja do t’i përdorë këto pajisje vetëm për shërbime të ligjshme për të garantuar një jetë sa më të sigurt brenda territorit të Kosovës”, ka thënë drejtori i PK-së.

Më tej, ai ka thënë se Policia e Kosovës është një organizon që gëzon një reputacion të lartë brenda dhe jashtë Kosovës.

“Unë si drejtor, dua që këtë reputacion ta ruajmë dhe ta mbajnë sa më lartë. Normalisht që nuk është lehtë të ruhet kjo, mirëpo ne duhet se pari të punojmë me parime demokratike, mbi të cilat ne jemi ndërtuar si Polici e Kosovës.

Në fund, ai ka shtuar se edhe transparenca e datës 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, ka bërë që Policia e Kosovës të gëzojë edhe më shumë respekt për punën profesionale.

Ndërsa ambasadori Hovenier, ka thënë se duke marrë parasysh shkallën e grupit të kriminal, këto fluturake do të ndihmojnë në luftimin e grupeve kriminale.

“Duke marrë parasysh që dronët mund të dërgohen shumë më shpejt sesa mjetet konvencionale, ShBA-ja i konsideron si pajisje që shpëtojnë jetë”, ka thënë ambasadori amerikan.

“Informacionet më të mira çojnë në marrjen e vendimeve më të mira. Ky donacion si dhe mbështetja jonë e vazhdueshme është manifestim shtesë i besimit që ShBA-ja ka ndaj Kosovës për të zbatuar ligjin. Mbështetja jonë për Inspektoratin e PK-së, tregon se ne i japim prioritet transparencës”, ka thënë ai më tutje.

Më tej ai ka theksuar se ShBA-ja do të vazhdojë të punojë me PK-në për të çuar përpara përkushtimin e përbashkët për të ofruar shërbime transparente dhe të përgjegjshme për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim.

Në fund ai ka potencuar se gjatë pesë vjetëve të fundit, ShBA-ja ka ofruar miliona dollarë për përmirësimin e organeve të rendit dhe ligjit në Kosovës.