SHBA-ja dhe Irani kanë shkëmbyer sulme në të gjithë Lindjen e Mesme për të dytën ditë radhazi, duke e vënë edhe më shumë në pikëpyetje armëpushimin tashmë të brishtë të arritur mes dy vendeve në prill.
Komanda Qendrore e SHBA-së (Centcom) ka thënë se kishte përfunduar një valë sulmesh “vetëmbrojtëse” kundër objekteve ushtarake, të mbikëqyrjes dhe radarëve në jug të Iranit.
Sulmi ka ardhur vetëm disa orë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, është zotuar se forcat amerikane do ta godisnin Iranin “fort” dhe se Teherani kishte marrë “shumë kohë për të arritur një marrëveshje” për t’i dhënë fund përfundimisht luftës.
Si kundërpërgjigje, Irani ka ndërmarrë një seri sulmesh ndaj aseteve ushtarake amerikane në vende të ndryshme të rajonit.
Bazat ushtarake amerikane në Bahrein dhe Kuvajt janë goditur nga zjarri iranian për të dytën ditë me radhë, ndërsa Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) kanë thënë se kishin lëshuar raketa balistike kundër një qendre komanduese amerikane në Jordani, sipas mediave shtetërore iraniane.
Ministria e Brendshme e Bahreinit ka thënë se sirenat e alarmit ajror janë aktivizuar gjatë natës, ndërsa ushtria e Kuvajtit ka njoftuar në platformën X se sistemet e saj të mbrojtjes kundërajrore kishin interceptuar “objektiva ajrorë armiqësorë”.
Kuvajti ka deklaruar se kishte mbyllur përkohësisht hapësirën e tij ajrore për shkak të sulmeve iraniane.
Në përshkallëzimin më të fundit, IRGC-ja ka thënë gjithashtu se kishte goditur dy cisterna nafte që po kalonin përmes Ngushticës së Hormuzit, raportuan mediat shtetërore iraniane.
Kjo ndodhi pasi mediat shtetërore iraniane kanë raportuar se Ngushtica e Hormuzit ishte “plotësisht e mbyllur për çdo lloj anijeje”. Megjithatë, Centcom ka deklaruar se “anijet tregtare po vazhdojnë të hyjnë dhe të dalin nga Ngushtica e Hormuzit”.
Çmimet e naftës janë rritur menjëherë pas njoftimit për mbylljen e korridorit detar dhe sulmit të pretenduar ndaj anijeve.
Nafta bruto Brent, e konsideruar si standardi global i tregut, është ngjitur në rreth 95 dollarë për fuçi, pas një rritjeje prej afërsisht 2%.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka thënë se Iranit i ishte dhënë mundësia për të arritur një marrëveshje, por nuk e kishte shfrytëzuar atë, duke shtuar se bombat do të “binin mbi objektet kyç” të vendit.
Ndërkaq, presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, ka deklaruar se Irani “do të qëndrojë i palëkundur përballë çdo presioni ose kërcënimi”.
E ministria e Jashtme iraniane ka akuzuar më herët SHBA-në se po “dëmtonte procesin diplomatik përmes mesazheve kontradiktore që dërgon”.
Në prill, SHBA-ja dhe Irani ranë dakord për një armëpushim që fillimisht ishte menduar të zgjaste dy javë. Që atëherë, të dyja palët kanë shkëmbyer herë pas here sulme, pa u rikthyer në një konflikt të plotë.
Megjithatë, përpjekjet e fundit për të ndërmjetësuar negociata mes Uashingtonit dhe Teheranit kanë ngecur, ndërsa sulmet janë shtuar.
Këtë javë, një helikopter amerikan është rrëzuar në një sulm për të cilin u fajësua Irani. SHBA-ja menjëherë ka ndërmarrë sulme ndaj Iranit. Si kundërpërgjigje, Garda Revolucionare Islamike ka sulmuar baza amerikane në të gjithë Lindjen e Mesme.



