Sharri, parku kombëtar më i madh në Evropë

Rahmi VELIU

Ideja për shpalljen e këti mali në park kombëtar ka lindur që në vitin 1999, kur në Parlamentin e Maqedonisë në rend dite u vu propozimi “shpallja e Sharrit park kombëtarë”. Për një mendim të tillë reagoj deputeti Abdulla Aliu i cili do të theksojë: “ Ky ligj ka karakter politik dhe popullatës nuk i mbetet tjetër, përpos të shpërngulet ose të mbetet “popull rezervat”. Pas këtij reagimi edhe në opinion e vendit, në faqe e gazetës “ Flaka” pati reagime nga autori i këtyre rreshtave me titull “Ne dhe parqet kombëtare” (“ Flaka 15-16.I. 2000), pas këtij reagimi vazhdova me reagimin e dytë “Propozim me prapavijë politike” (“Flaka” 6.VI.2002) dhe kur në Parlament u morë vendimi që Sharri të shpallet park kombëtar, autori në fjalë u paraqit me reagimin: “Shpërngulja e Sharrit ante Portas “ (11-12.VII.2009). Reagimi tjetër, i cili vlen të theksohet është ai i B. Golës “Eksproprijimi i vargmaleve të Sharrit do t’i shpërngul shqiptarët” ku u theksua edhe kjo fjali: “Ligji në fjalë është frymëzuar nga ideja e Ҫubriloviqit”. Ҫka janë këta Parqe Kombëtare për të cilët jemi duke bë fjalë? Një përgjigje më të plotë do t’a gjejmë në fjalorët enciklopedikë, ku mirë është theksuar : “ PARK KOMBËTAR” rajon veçanërisht i bukurive natyrore ku me LIGJ JANË TË MBROJTUR TË GJITHË ELEMENTET E NATYRËS, duke përfshi florën dhe faunën dhe ndalimin dhe EKSPLOATIMIN E PASURIVE NATYRORE- të ruajtura me ligj“.
Ndërkaq, në fjalorin enciklopedik të gjeografisë do të theksohet: “Pjesë të ndara të territorit, në të cilët natyra deri me sot ka ngel e paprekur nga dora e njeriut, Me LIGJ JANË TË MBROJTURA. Parqet kombëtare janë njëfarë lloji lobaratoresh natyrore, ku në ta shkencëtarët e profesioneve të ndryshme shkencore bëjnë studime të natyrës”. Ja pra,nga këta të dhëna mund të vijmë në përfundim se parqet kombëtare janë të mbrojtura me ligj, që do të thotë se në ta nuk mund të lëvizim lirshëm dhe të presim drunj, apo të ndikojmë në natyrën që e ka krijuar atë, sepse mbrohen me ligj. Prandaj parqe të tilla shpallen në ato vende që janë rrallë të banuar. Po, Mali Sharr a është i banuar rrallë apo dendur. Sipas disa të dhënave në Malin Sharr jetojnë afër 200.000 banorë. Të theksojmë se gati-gati të gjithë banorët e kësaj treve janë shqiptarë. Ndërkaq, popullata maqedonase ka më pak ose ndonjë katund është i banuar me një numër fare të vogël. Sa për shembull do t’i marr disa katunde dikur të banuar me Maqedonas. Sot janë shpërngul dhe janë vendosur nëpër qytete, ku kushtet për jetës janë larg më të mira. Mu për këtë, shumë katunde të pastërta të banuara me maqedonas sot kanë ngel pa asnjë banor. Për këtë do ti theksojmë disa prej tyre që gjenden në komunën e Tearcës dhe Tetovës: Jeduarca, Sotola, Hotuja, Varvara, Jellosheku etj. Në kohë të fundit, një migrim i tillë është duke u zhvilluar edhe në katundet shqiptare në këto krahina malore. Një pjesë e mirë e kësaj popullate migron në botën e jashtme si Itali, Gjermani, Zvicër, vendet Skandinave, Holandë, Belgjikë e gjetiu. Pra, ethet e shpërnguljes-migrimit kanë filluar edhe te popullata shqiptare.
Se Parqet kombëtare shpallen në vendet me pak të banuar do ta marim si shembull Parkun Kombëtarë të Jelloustonit në SHBA. Ky park gjendet në Malet Shkëmbore. Pjesa më e madhe gjendet në shtetin Vajoming të SHBA. Përfshi një sipërfaqe prej 8.852 km², në një rrafshnaltë me origjinë vullkanike. Në këtë park gjendet një numër i madh i gejzereve të cilët hedhin ujin me vrull dhe avullin e nxehtë në një lartësi 40-50 m, dukuri e cila zgjat vetëm 4 min, në mënyrë që të paraqitet përsëri pas 65 minutash. Kjo paraqet bukuri të rrallë natyrore, kështu që vizitorët kënaqen me këta bukuri natyrore. Në këtë park vlejnë rregullat: “Më shiqo, po mos më prek”, këtu drunjtë bien në tokë dhe aty edhe kalben, pa mos i prekur dora e njeriut. Në të shumtën e rasteve, këtu janë të vendosur rezervate, qëllimi është se si të ruajnë dhe mbrojnë me ligj botën shtazore dhe bimore. Mu për këtë janë formuar rezervate botanike të zoofaunës, armito faunës dhe ihtifaunës, qëllimi i të cilave është se si ta mbrojmë ambientin – rrethin jetësor.
Në Maqedoni ka tre parqe kombëtare të Mavrovës, Galiҫicës dhe ai i Pelisterit. Të theksoj se Parku Kombëtar i Mavrovës është në kufi me Shqipërinë dhe Kosovën, ai i Galiҫices në mes Liqenit të Ohrit dhe Prespës, gjendet në mes kufirit të Maqedonisë dhe Shqipërisë dhe ai i Prespës në trekufirin Maqedoni-Greqi dhe Shqipëri. Që të tri Parqet Kombëtare gjenden në Maqedoninë Perëndimore. Të theksoj se në Maqedoninë Lindore – me Bullgarinë nuk ka park kombëtar dhe as me Serbinë nuk ka. Për habi, në mbledhjen e fundit parlamentare u propozua që si park i ri kombëtar të shpallen Malet Osogovës,të cilët gjenden në pjesën lindore të Maqedonis dhe ky është i vetmi park që gjendet në brendi dhe në pjesën Lindore të Maqedonisë. Parku Kombëtar i Sharrit i cili është në formimin e sipër, shtrihet prej grykës së Kaҫanikut e deri te Liqeni i Mavrovës, me një gjatësi prej 80-85 km gjerësi prej 25-30 km me një sipërfaqe prej 2.000-2.550 km². Së drejti ky Park Kombëtarë do të bashkohet me parkun kombëtar të Mavrovës. Prandaj thuhet se Sharri do të jetë Parku më i madhi në Evropë. Pra, e lamë larg Gjermaninë, Anglinë, Francën dhe shtetet tjera që nga sipërfaqja dhe zhvillimi ekonomik janë shumë para Maqedonisë.