Shaqiri: UNT-ja do të ketë objektin e saj

Gjashtë vite pas themelimit, Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup do të marrë kompleksin e tij infrastrukturor. Me vendim të Qeverisë disa ditë më parë, institucioni i arsimit të lartë ka marrë lokacion ku objektet ekzistuese do të përshtaten për nevojat e kuadrit mësimor-shkencor dhe për studentët. Investimin do ta realizojnë Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe vetë universiteti.

Kjo është bërë e ditur në takimin e sotëm ndërmjet ministrit të Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri dhe rektorit të sapoemëruar të Universitetit Nënë Tereza, Izet Zeqiri në të cilin u krye pranim dorëzimi i lokacionit në rrethin e ish-kazermës “Ilinden” në kryeqytet, ku do të vendoset kampusi universitar. Në takim u diskutua për planin e aktiviteteve dhe dinamikën me të cilën do të realizohen.

“Sot po përfundojmë procedurat administrative për të nisur ndërtimin e kampusit universitar dhe ky është hap i madh përpara në përpjekjet për ndërtimin e një institucioni cilësor të arsimit të lartë. Sepse cilësia në masë të madhe varet nga kushtet infrastrukturore”, tha ministri Shaqiri, duke shprehur pritjet që aktivitetet ndërtimore të fillojnë këtë vit dhe nga viti i ardhshëm akademik i gjithë procesi mësimor-shkencor do të bartet në objektet e reja.

Rektori i ri i Universitetit “Nënë Tereza”, Izet Zeqiri falënderoi Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe Qeverinë për lokacionin e lëshuar dhe për mbështetjen e deritanishme që i jepet universitetit nga të gjitha aspektet, ndërsa tha se ky është sukses i udhëheqjes aktuale të universitetit.

“Shpresoj që sa më shpejt do të fillojnë dhe do të përfundojnë aktivitetet investuese, pas së cilës do të kompletohemi si universitet dhe me këtë besoj se do të rritet edhe më shumë motivimi për punën e profesorëve, por edhe motivimi për studentët për të mësuar”, tha Zeqiri.