Shansi i fundit, pas disa refuzimeve “Çekanët” zgjedhin një trajner spanjoll

West Ham është duke zhvilluar një sezon problematik sa i takon rezultateve në Premier League me “Çekanët” që renditen në vendin e 20-të të kampionatit dhe janë të përfshirë në garën e mbijetesës ndryshe nga e kaluara, kur siguronin edhe kualifikime në Europë. Drejtuesit e klubit i kanë dhënë edhe një shans të fundit trajnerit David Moyes, e nëse ky i fundit dhe lojtarët dështojnë në ndeshjen e radhës ndaj Nottingham Forest, atëherë 59-vjeçari do të shkarkohet.

Në rast të një skenari të tillë, atëherë pritet që drejtimin e skuadrës ta marrë një trajner me mjaft eksperiencë në Premier League si Rafael Benitez. Aventura e tij e fundit ishte me Everton në vitin 2022 dhe duket se për spanjollin ka ardhur momenti për t’u rikthyer në detyrë.

Në fakt, Benitez nuk ishte zgjedhja e parë për West Ham duke qenë se klubi më parë kishte kontaktuar me Mauricio Pochetinon dhe Thomas Tuchel, por si argjentinasi ashtu edhe gjermani refuzuan londinezët. Një tjetër alternativë që e njeh mirë Premier League ishte Nuno Espirito Santos.

Portugezi ishte gati për një rikthim në Premier League, por aktualisht është i impenjuar në Arabi me Al-Ittihad dhe në rast se shkëputej kontrata atëherë West Ham do të duhej të paguante deri në 6 milionë paund. Ndaj, alternativa e vetme mbeti Benitez i cili tashmë pret duelin e radhës me Moyes që nga ana tjetër do të mundohet të shpëtojë postin e tij.