Shallenberg: Çështjet bilaterale dhe historike duhet të lihen jashtë procesit të negociatave

Austria është shumë e zhgënjyer që nuk u arrit asnjë marrëveshje për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut, sepse pozicioni ynë është që çështjet bilaterale dhe historike të lihen jashtë procesit të negociatave. Maqedonia e Veriut ka bërë gjithçka që është e nevojshme për të filluar negociatat dhe mendoj se do të ishte e drejtë të ndodhin sa më shpejt të jetë e mundur, tha ministri federal për Evropë dhe Punë të Jashtme i Republikës së Austrisë, Aleksander Shallenberg, pas një takimi në Vjenë, me ministrin e Punëve të Jashtëm, Bujar Osmani.

Ne, tha ai, jemi shumë të zhgënjyer që nuk arritëm marrëveshje për të filluar negociatat deri në fund të këtij viti me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

“Nga këndvështrimi ynë, nga këndvështrimi im, nevojitej ta bëjmë atë. Për të qenë i qartë, qëndrimi ynë është që çështjet bilaterale dhe historike duhet të qëndrojnë jashtë procesit të negociatave. Ju keni thënë mirë që procesi i zgjerimit të BE-së është proces i evropianizimit, jo i bilateralizimit, dhe kështu duhet të jetë. Ky ishte qëndrimi ynë mbi çështjen e emrit me Greqinë derisa ishte në rendin e ditës”, tha Shallenberg.

Ai theksoi se Maqedonia e Veriut është vend model për sa i përket procesit të negociatave të pranimit. Ju keni bërë mirë, tha ai, duke shtuar se për këtë arsye ishte i mendimit se do të ishte e drejtë të hapnin negociatat me BE sa më shpejt të ishte e mundur.

“Ju mund të mbështeteni në përkrahjen austriake lidhur me këtë çështje, sepse Ballkani Perëndimor është pjesë e politikës sonë të sigurisë, kulturore dhe ekonomike. Ne nuk duam të shohim në të ardhmen hapësirë ​​boshe në jug në hartën e BE-së”, tha ai.

Ai theksoi se Maqedonia e Veriut mund të mbështetet në përkrahjen austriake në luftën kundër pandemisë dhe sigurimin e vaksinave të nevojshme. Ne do të përkushtohemi, theksoi Shallenberg, për t’u siguruar që vaksinat të mbërrijnë në vendet e Ballkanit Perëndimor në të njëjtën kohë si në vendet anëtare të BE-së.

Ai e vlerësoi takimin me Osmanin si një takim të vendeve mike, në marrëdhënie të mira që vazhdimisht po përmirësohen. Të dy vendet, tha ai, u bënë edhe më afër pas sulmit të tmerrshëm terrorist në Vjenë më 2 nëntor, duke i falënderuar ata për shprehjet e mbështetjes dhe ngushëllimit që Maqedonia e Veriut dërgoi deri tek Austria në momentet pas sulmit tragjik.