Shala: Dialogu Prishtinë-Beograd ‘prodhoi’ tri fronte tensionesh për Kosovën

Opinionisti Blerim Shala ka thënë se dialogu i Prishtinës dhe Beogradit, ‘prodhoi’ tri fronte tensionesh për Kosovën: Me Serbinë (gjë që ka qenë dhe është e pashmangshme), me Perëndimin (krejtësisht e panevojshme) dhe me vetveten (që nuk ka qenë e domosdoshme).

Sipas tij, njohja reciproke formale në mes të Kosovës dhe Serbisë është çelësi i kësaj Marrëveshjeje.

“Politika kosovare, e cila vetëm pak javë më parë, përmes zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, përjetoi një ri-konfigurim të madh të vetin nuk do të mund të merret si duhet me dialogun me Beogradit, tej atyre vlerësimeve për prioritetet e veta të brendshme dhe ndërkombëtare, nëse nuk do të arrijë të shmangë tensionet e brendshme dhe ato me partnerët kryesorë ndërkombëtarë”.

“Në shikim të parë, së paku, duket që arritja e kësaj vlere politike është jo vetëm e dëshirueshme, por edhe e mundshme”.

“Nëse merren parasysh prononcimet publike të gjithë protagonistëve politikë të brendshëm, por edhe ato të Presidentit amerikan Biden (aty janë edhe Brukseli, Berlini dhe Parisi, megjithë hezitimeve të njohura të tyre që ta bëjnë të ditur publikisht qëndrimin e tyre për këtë çështje) nuk ka fort dilema se si do të duhej të përmbylleshin bisedimet e autoriteteve më të larta të Prishtinës dhe Beogradit. Njohja reciproke formale në mes të Kosovës dhe Serbisë është çelësi i kësaj Marrëveshjeje”.

“Ky fakt do të duhej gjithsesi të reflektohej në raportet tona me Ëashingtonin, Brukselin, Berlinin dhe Parisin”.

“Në anën tjetër, arritja e një konsensusi të brendshëm politik, për të cilin flitet tash e shumë vite, është kusht pa të cilin nuk bën për finalizimin (eventual) të bisedimeve të rënda me autoritetet e Beogradit”.

“Edhe pse Albin Kurti dhe Lëvizja ‘Vetëvendosje’ kanë shënuar, në zgjedhjet e 14 shkurtit, një fitore të madhe, të paparë në këtë historinë e demokracisë kosovare, megjithë faktin që Kurti arriti ta bëjë vet Qeverinë e Kosovës (edhe kjo ndodhi për të parën herë në demokracinë e vendit) nuk ka dyshim që atij i duhet bashkëpunimi me partitë e tjera shqiptare parlamentare nëse dëshiron ta fuqizojë pozicionin e Kosovës në këto bisedime”.

“Ky fuqizim do të duhet të shprehej me mbështetjen për dialogun e Brukselit nga tetëdhjetë deputetë shqiptarë të Kuvendit të Kosovës (së paku), sepse kjo ‘shumicë e kualifikuar’ do të duhej pastaj ta përkrahte, apo edhe ta refuzonte një Propozim Marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë”.

“Po që se nuk do të ketë shtensionim të raporteve të brendshme, si dhe të atyre në mes të Prishtinës dhe Perëndimit në trajtimin apo adresimin e temës së dialogut, nuk do të mund të bëhen hapat vendimtarë në përmbylljen e dialogut me Serbinë”.