Në Kukës vazhdon imunizimi i mjekëve nga Kosova

Në Kukës të Shqipërisë, rreth 200 punëtorë shëndetësorë të Kosovës, pritet të shtunën të vaksinohen kundër koronavirusit, tha për Radion Evropa e Lirë, Blerim Syla, kryetar i Federatës së Sindikalistëve të Shëndetësisës së Kosovës (FSSHK).

“Jemi rrugës për në qytetin e Kukësit. Punëtorët shëndetësorë do të vaksinohen dhe më këtë rast do mbyllet cikli i parë i imunizimit në Shqipëri”, tha Syla.

Imunizimi është duke u bërë me vaksinën e AstraZenecas, e zhvilluar në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit. Shqipëria në muajin mars është furnizuar me 38.400 doza të vaksinës së AstraZenecas.

Javën e kaluar, (20-21 mars) në një qendër vaksinimi në Kukës është imunizuar grupi i parë i parë i punëtorëve shëndetësorë në Kosovë.

Syla tha se gjendja shëndetësore e atyre që tashmë kanë marrë dozën e parë të vaksinës, është e mirë.

“Ata që janë vaksinuar nuk kanë pasur asnjë ankesë, përveç në ditën e parë – reaksione normale si në marrjen e çdo lloji të vaksinës. Kurse, ankesa kolaterale nuk kanë pasur”, tha ai.

Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm në Evropë që nuk ka nisur procesin e vaksinimit.

Zyrtarët e qeverisë paraprake kanë thënë se në muajin mars do të arrijë kontingjenti i parë i vaksinave të AstraZenecas, që janë në kuadër të 100.800 dozave që Kosova do t’i marrë falas nga programi COVAX, i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.