Shahpaska: Puna në distancë do të përfshihet në Ligjin e ri për marrëdhënie pune

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Jagoda Shahpaska në seancën e sotme të Këshillit Social Ekonomik theksoi se puna në distancë do të përfshihet në Ligjin e ri për marrëdhënie pune.

“Në periudhën e pandemisë si shoqëri kemi bërë hap serioz në përshtatjen e procesit të punës, atje ku mundej në pajtim me kushtet të cilat ishin imponuar nga gjendja e re”, potencoi Shahpaska në seancën e KSE, lidhur me analizat e bëra nga ana e Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ONP).

Analizat, të cilat janë në kuadër të projektit “Përforcim të dialogut social”, kanë të bëjnë në kulturën sipërmarrëse, punën në distancë, qasjen në ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme deri te mjetet financiare dhe eko sistemin sipërmarrës në Maqedoninë e Veriut.

“Këto analiza do jenë shumë të dobishme në zhvillimin dhe implementimin e politikave sociale ekonomike”, theksoi Shahpaska.

Në seancën e sotme u prezantua dhe shqyrtua Draft korniza e treguesve të cilat e matin efikasitetin e Këshillave Socialë Ekonomikë të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Ky dokument është hartuar në kuadër të projektit rajonal Platformë për punësim dhe çështje sociale 2.

Në nismë të Organizatës së Punëdhënësve të Maqedonisë, në seancën e KSE u prezantua edhe Hulumtimi kombëtar në kuadër të projektit “Hendeku midis brezave” të zbatuar nga ana e tyre. Ky hulumtim ka për qëllim marrjen e të dhënave thelbësore për menaxhim me plakjen dhe sfidat midis brezave të tregut të punës të Maqedonisë së Veriut.

Në seancën e KSE-së, nga ana e anëtarëve, është zgjedhur Sali Sali si përfaqësues i Këshillit Social Ekonomik për anëtar të Këshillit për Statistikë.

“Këshilli Social Ekonomik vazhdon në suaza të grupeve dhe trupave të punës përmes udhëheqjes së dialogut social konstruktiv të ndikojë në krijimin e politikave të cilat janë me interes të përbashkët të faktorëve në shoqëri”, thonë nga Ministria.