Gara për të zhbllokuar potencialin e vërtetë të kompjuterave kuantikë është bërë më e ashpër. Zbulimi i “Google”-it në tetor, i vlerësuar si një demonstrim i kompjuterave kuantikë që tejkalojnë superkompjuterat tradicionalë, është eklipsuar nga një test i ri kinez që bën një përmirësim mahnitës prej gjashtë rangjesh magnitude.
Eksperimenti kinez, i kryer në makinën e fuqishme prej 105-kjubitësh “Zuchongzhi 3.0”, kreu një detyrë komplekse në vetëm qindra sekonda, ndërsa superkompjuteri kampion aktual në botë, “Frontier”, do të kërkonte rreth 6 miliardë vjet për të zgjidhur të njëjtin problem.
Kjo arritje, e botuar në “arxiv.org” të martën, vendos një standard të ri për “epërsinë e llogaritjes kuantike”, një gur kilometrik në shfrytëzimin e fuqisë së plotë të kësaj teknologjie revolucionare. Studiuesit besojnë që kjo hap rrugën për të eksploruar se si rritja e numërimit të kjubitëve dhe kompleksiteti i qarqeve mund të ndihmojnë në trajtimin më të efektshëm të problemeve të botës reale.
Informatika kuantike është ende në fazat fillestare. Gara është në vazhdim për të provuar epërsinë e saj të qartë ndaj superkompjuterave tradicionalë.
Në vitin 2019, “Google” pretendoi se kishte arritur “supremacinë kuantike” duke zgjidhur një problem jashtëzakonisht të vështirë në 200 sekonda duke përdorur një makinë 53-kjubit. Megjithatë, një ekip kinez u kundërpërgjigj në vitin 2023 me një algoritëm të ri që e zgjidhi të njëjtin problem në një kompjuter klasik në vetëm 17 sekonda.
Për konceptin e “supremacisë kuantike” ka pasur edhe disa debate. Në vitin 2020, shkencëtarët e Universitetit të Shkencës dhe Teknologjisë të Kinës propozuan një termin “epërsi llogaritëse kuantike”, që pasqyrohet në prototipin e tyre novator “Jiuzhang”.
Me mbi 30 vende që zhvillojnë aktivisht teknologjitë me bazë kuantike, gara për supremacinë kuantike mbetet një fushëbetejë kyçe për fuqitë globale të teknologjisë.