Sfida për Tetovën dhe Gostivarin!

Shkruan: Medai Shaholli

Të dielën tjetër më 31-tetor, do të mbahet rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale për të zgjedhur kryetarët e komunave, ku beteja më e madhe për kreun e komunës parashihet të ndodh në fushën e Pollogut në Tetovë, mes Teuta Arifit të DUI-t dhe Bilall Kasamit të Besës, ndërsa në Gostivar mes Arben Taravarit të ASH dhe Nevzat Bejtës së DUI-t.

Shpesh kemi rastisur të dëgjojmë nga njerëzit e thjeshtë dhe qytetarët, intelektualët,opinionistët dhe nga grupe të ndryshme interesi duke thënë se pas këtyre zgjedhjeve do të vij ndryshimi!

Të gjithë jemi dëshmitarë se pushteti lokal në mandatin e katër viteve të shkuara nuk i ka mbajtur premtimet dhe zotimet ndaj qytetarëve.
Ata nuk kanë realizuar asgjë nga ato premtimet e mëdha nëpër komunat ku qeverisin se do ndërtonin qendra shëndetësore dhe spitale si shërbime të domosdoshme shëndetësore për qytetarët.
Përkundrazi,pushtetarët lokalë kanë ngelur në strofkullat tyre për katër vite pa çarë kokën se gjendja në komunat e tyre lë shumë për të dëshiruar.

Një nga plagët e rënda të qyteteve tona që i kanë shkaktuar udhëheqësit komunal, janë deponitë e egra që i kanë zënë frymën qytetarëve me erën e rëndë dhe sëmundjet kancerogjene që mund të shkaktojnë këto deponi shumë pranë qyteteve dhe zonave të banuara.
Pozita dhe kryekomunarët e saj s’kanë çfarë t’i japin më qytetarëve shqiptarë ata thjeshtë kanë dështuar.

Po nga kush do të vij ky ndryshim?
Nga opozita shqiptare?
Nga kjo opozitë shqiptare që përveç premtimeve nuk mund të bëj dot asgjë për shqiptarët!
Si pozita ashtu dhe opozita nuk e bëjnë dot ndryshimin pasi ato në këtë garë hyjnë për interesat e tyre dhe për levërditë ekonomiko-financiare që do të përfitojnë nga karrigia e kryekomunarit.

Ata kanë dëshmuar lojalizëm të paparë të paktën në këto dy dekada të pjesëmarrjes dë tyre në të dy rangjet e pushtetit, si në atë qendror poashtu dhe në atë lokal, kur janë përballur me diskriminimin dhe shtypjen nacionale ndaj shqiptarëve si bie fjala me miratimin e ndryshimeve kushtetuese, në të cilën partitë shqiptare pa përjashtim, pranuan termin poshtërues si bashkësi shifrash në atë kushtetutë ‘demokratike’.

Prandaj, si do të luftojë ‘me shpirt për Tetovën’ Bilall Kasami, kur ka dështuar me kërkesën e tij ndaj grafës etnike në letërnjoftimet?
Si do t’i besojnë tetovarët atij kur dy vjet më parë dega e Besës së Tetovës hoqi dorë nga kërkesa për ndryshimin e emrave të shkollave të Tetovës nga emrat e imponuar të personaliteteve të komunizmit jugosllav, për t’i zëvendësuar me emra nga figurat historike dhe të kulturës shqiptare?

Do vazhdojnë të qëndrojnë si relikte të së kaluarës edhe gjatë mandatit të tij nëse zgjidhet pragmatisti Kasami në krye të komunës, ‘me po aq dashuri për Tetovën’, emrat e rrugëve si Lenin dhe JNA apo druzhe Tito, që gjithsesi janë emra të imponuar me dhunë nga koha e komunizmit ose do zbatohet demokracia dhe vullneti i shumicës?

Çfarë do të bëj më mirë se znj.Arifi nëse zgjidhet kryetar z.Kasami?
Si njëra edhe tjetri nuk e bëjnë dot ndryshimin me proçkat e tyre ata kanë lënë shije të zbarët para shqiptarëve, për më tepër kur këta të dy këta kanë ‘çelësat e kashtës’!

Po në Gostivar siç e kam thënë në një rast tjetër, se pse z.Taravari ka frikë ta përmend e jo më ta vëndojë në një nga sheshet e qytetit monumentin e heroit nacionalist të Xhem Hasës, për faktin se vjen nga një parti nacionaliste siç thirret Aleanca për Shqiptarët dhe se ndanë sipas tyre të njëjtat vlera të shqiptarizmës që ndante dhe Xhem Hasa?

Si do të besojnë shqiptarët se aleancistët e Selës janë parti e djathtë që mbart vlera të së djathtës nacionaliste kur ballistët
nuk gjejnë vend në piedestalet e shesheve qytetit që ata duan ta fitojnë?

Pse partizani Çede Filipovski mund të gjej vend në sheshin e qytetit dhe jo ballisti Xhem Hasa?
Ballisti Xhem Hasa i prish pazaret si me komitët ashtu edhe me partizanët e Zaevit, ndaj partitë shqiptare hezitojnë ta përmendin emrin e tij e lere më t’i ngrejnë një monument.

Si mundet që aleati i tanishëm i së djathtës nacionaliste maqedone siç janë komitët e Mickoskit, të mbështesin z.Taravari për kreun e komunës kur e dinë ideologjinë politike të Aleancës për Shqiptarët dhe filozofinë e tyre politike ‘në mbrojtje të shqiptarizmës’?
Propagandimi në emër të mbrojtjes së shqiptarizmës nga ana e aleancistëve të z.Sela ka dëshmuar të kundërtën e qëndrimeve të tyre si në kohën kur kanë qënë pjesë e koalicionit po ashtu edhe me pushtetin lokal si lojal të pushtetit qendror.

Të gjitha këto rrëfenja për filozofi politike që paraqesinë të gjitha partitë shqiptare së bashku janë blof para shqiptarëve vetëm për shkak të votës.
Ndaj, shqiptarët të mos ëndërrojnë shumë duke pritur ndryshime nga këto parti që të paktën në këto dy dekada të pjesëmarrjes në pushtetin qendror apo lokal, kanë kullufitur vetëm tenderat dhe levërditë e pushteti pa çarë kokën për hallet e popullit.
Prandaj, edhe këto zgjedhje janë një farsë dhe nuk do sjellin ndryshimin.