Setien s’pranon ta komentojë lajmin se Messi do të largohet

Trajneri nën presion të madh i Barcelonës, Quique Setien, ka refuzuar ta komentojë të ardhmen e kapitenit Lionel Messi në Barcelonë, pas spekulimeve se ai do të largohet verën e ardhshme.

Gazeta spanjolle Cadena Ser raportoi këtë javë se kapiteni i Barcelonës, Lionel Messi, është i lodhur nga akuzat dhe fajësimi për të gjitha problemet në klubin katalonas dhe dëshiron të largohet në fund të kontratës së tij aktuale, në qershor të vitit 2021.

Messi thuhet se i ka ndërprerë bisedimet me drejtuesit e klubit për rinovimin e kontratës së tij.. Ai e kishte opsionin për t’u larguar nga Barcelona edhe më 10 qershor të këtij viti, thjesht duke zgjedhur ta bëjë këtë.

Megjithatë, ai vendosi të mos e shfrytëzojë këtë klauzolë në kontratën e tij, të cilën e nënshkroi në nëntor të vitit 2018 dhe që është e vlefshme deri më 30 qershor të vitit 2021. Por, sapo të përfundojë kjo kontratë, verën e ardhshme, Messi thuhet se do t’ia japë lamtumirën Barcelonës.

Disa analistë të futbollit kanë reaguar duke thënë se këto spekulime janë vetëm tentime për të krijuar tensione në Barcelonës, mirëpo Setien s’pranoi të diskutojë për këtë temë.

“Unë nuk do të spekuloj për këtë sepse unë s’e kam dëgjuar atë duke thënë ndonjë gjë dhe kjo nuk është detyra ime”, tha Setien.

“Unë e shoh atë në gjendje të mirë. Gjërat e tjera janë spekulime të cilat s’dua t’i komentoj. Për këtë jeni ju, mediat. Unë e shoh atë mirë në stërvitje dhe asgjë më shumë”.

Sipas Cadena Ser, Messi është i lodhur nga të gjitha problemet që e rrethojnë klubin, lajmet e dala nga brenda klubit, atmosfera e “çuditshme” në zhveshtore dhe, mbi të gjitha, faktin që disa drejtorë në klub e fajësojnë atë për gjithçka që shkon keq në Camp nou.

Messi ia ka treguar rrethit të tij të afërt për këtë pakënaqësi, duke u ankuar se ai nuk dëshiron të marrë përgjegjësi për asgjë më shumë sesa paraqitjet e veta në fushën e lojës. Ai madje i ka ndarë planet e tij për të ardhmen me disa lojtarë kyç të Barcelonës.

Messi fillimisht ishte menduar se do të qëndronte edhe më tutje në Barcelonë, por tani ai raportohet se e ka ndryshuar mendjen. Ai e ka shprehur bindjen e tij se Barcelona s’mund ta fitojë Ligën e Kampionëve me këtë skuadër që e ka dhe tani që Real Madridi po shkon drejt titullit të kampionit, Messi po fillon ta shohë fundin e karrierës së tij në Barcelonë.