Trajneri i Barcelonës, Quique Setien, ka insistuar se mesfushori Ivan Rakitic nuk ka kërkuar asnjëherë të largohet nga klubi, përkundër deklaratave të kroatit se nuk është i kënaqur me mënyrën se si është trajtuar.
Ivan Rakiticit do t’i përfundojë kontrata në Barcelonë në vitin 2021 dhe ai e ka kritikuar mënyrën se si klubi i La Ligës e ka trajtuar atë gjatë kësaj kohe sa po i afrohet fundit të kontratës, transmeton Gazeta Express.
Trajneri i Barcelonës, Setien, thotë se nuk është i vetëdijshëm që 32-vjeçari ka dashur të largohet dhe ka thënë që ai është i kënaqur me paraqitjet e kroatit gjatë këtij sezoni.
“Unë nuk kam asnjë informatë se Rakitic dëshiron të largohet nga klubi dhe ai nuk ma ka thënë këtë gjë. Dhe, sa kam qenë unë trajner, ai ka luajtur shumë dhe po vazhdon ta bëjë këtë gjë”, ka thënë ai për El Larguero të enjten.
“Jam i lumtur me paraqitjet e tij dhe s’kam asgjë për të thënë. Ne duhet të presim për ta parë se çfarë do të ndodhë dhe nëse ai dëshiron të largohet apo jo. Dhe nëse unë do të duhet ta them, do të vijë koha”.
Rakitici së fundi deklaroi se e ardhmja e tij mund të jetë larg Camp Nou, përderisa kërkoi të mos trajtohet më si “thes patatesh”.