Serwer: Grenell dështoi, Vuçiqi arriti atë që synoi-heqjen e tarifave!

Daniel Serwer
Me nismën e ndërprerë amerikane për bisedime në Shtëpinë e Bardhë midis Serbisë dhe Kosovës, Bashkimi Evropian mblodhi gjatë javës së kaluar, për dialog, kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Ata raportohet se biseduan rreth dy gjërave: të zhdukurit dhe çështjet ekonomike. Ishte ky veprim i matur. Bisedimet duhej të vazhdonin së shpejti, për ta ruajtur momentumin dhe besueshmërinë e BE-së.
Por, asnjëra palë nuk është e gatshme të diskutojë për çështjet e vështira politike, të cilat dialogu synon t’i zgjidhë.
Çështja e të zhdukurve është çështje e rëndësishme si për Beogradin, ashtu edhe Prishtinën, pasi që të dyja qeveritë janë nën presion për të treguar se ka rezultate konkrete të bisedimeve me palën e kundërt. Kjo është dashur të bëhet shumë kohë më parë, por nuk e bën më pak të rëndësishme tash. Familjet nga të dyja palët duan identifikimin dhe kthimin e mbetjeve mortore të më të dashurve të tyre. Për përmbylljen e atij procesi lypset bashkëpunim i ngushtë që mund ta rrisë besimin dhe të hapë çështje të mëtejme për veprim të përbashkët.
Çështjet ekonomike janë më të komplikuara. Vuçiqi tashmë e ka arritur atë që e synoi: heqjen e tarifave të vëna nga Kosova mbi mallrat serbe, në kundërpërgjigje të fushatës së “çnjohjeve”. Hoti ka një listë të gjatë çështjesh ekonomike, të cilat do që të diskutohen: “kompensimin për dëmet e luftës, suksesionin (e pronësisë mbi ish-pronën jugosllave), borxhin shtetëror, pensionet, kursimet në banka, pagat e humbura të punëtorëve të larguar nga puna, dëmet mbi pronën private dhe çështjet tjera”. Vuçiqi nuk është i interesuar të diskutojë për këto çështje. Padyshim se ai do ta ketë një listë të veten, kur të vijë koha.
Bisedime tani nuk do të ketë deri në shtator. Edhe ky është veprim me mend, jo vetëm shkaku që Evropa pushon në gusht, por edhe se askush nuk është i gatshëm për përparim të mirëfilltë rreth çështjeve të mëdha. Kam shkruar rishtazi rreth përgatitjeve që ende duhet të ndërmerren.
Për ta përmbledhur:
BE-ja duhet të sigurojë që shtetet e saja anëtare janë më të unifikuara dhe deri në shtator ta ofrojnë liberalizimin për të cilin Kosova i ka përmbushur kushtet, ashtu si edhe të paktën një zotim për njohje diplomatike nga pesë anëtarët e BE-së në përmbyllje të dialogut. Një deklaratë në atë drejtim nga kjo pesëshe do të duhej të bëhej.
SHBA-ja duhet të kthehet në rolin e saj mbështetës, gjë që nuk do të jetë e mundur, përderisa negociatori amerikan është kritik i zëshëm i BE-së, i interesuar vetëm në gjasat për rizgjedhje të presidentit Trump. Ric Grenell, që ka dështuar në bukur shumë detyra gjatë dy viteve të kaluara, duhet të largohet.
Kosovës i duhet një qeveri më gjithëpërfshirëse që e mbështet Hotin dhe mund të zbatojë në parlament atë për të cilën arrihet marrëveshja në Bruksel.
Serbisë i duhet një vendim për t’i dhënë fund politikës së saj të “uljes në dy stole” (Lindje dhe Perëndim), duke ia mësyrë anëtarësimit në BE, me gatishmërinë për ta paguar çmimin e normalizimit me Kosovën.
Këto copëza vitale të një zgjidhjeje politike mungojnë. Ashtu ka të ngjarë të jetë gjendja edhe në shtator, atëherë kur vëmendja amerikane do të rifokusohet në zgjedhjet e 3 nëntorit.
Ky nuk është i vetmi problem. BE-ja duket ende e pavullnetshme që ta bëjë gjënë e duhur rreth liberalizimit të vizave dhe Serbia nuk duket e interesuar të zotohet për raporte të mira fqinjësore, ku do të përfshihej një zotim i qartë për anëtarësimin e Kosovës në OKB, ashtu edhe shkëmbimi i përfaqësuesve në nivel ambasadorësh. Në mënyrë ironike, Kosova e ka mundësinë më të madhe të përmbushjes së parakushteve: çfarëdo që të ndodhë në dialog, do të ketë nevojë për një shumicë më të madhe, nëse presidenti Thaçi dorëhiqet, kështu që të mund ta zgjedhë zëvendësimin për të.
Pra, ishte gjë e mirë rifillimi i procesit të dialogut, por mbajtja e hapit do të jetë e zorshme. Ambiciet e Berlinit për përmbylljen e tij para fundit të presidencës gjermane mbi BE-në ka gjasa të hasin në zhëgnjim. Përderisa dikush të mos vijë me një grumbull parash për zgjidhjen e pretendimeve ekonomike të Hotit dhe apetitit të njëjtë të Vuçiqit, gjërat ka gjasa të stagnojnë. Rekomandimi im: që pesë muajt e ardhshëm të kalohen për t’u përgatitur për bisedime serioze më 2021, duke filluar prej 21 janarit. Një mundësi e tillë duhet t’i fokusojë mendjet në Beograd, që ka më së shumti për të humbur nga një administratë e re amerikane, e përkushtuar për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Një gjë e tillë madje edhe mund të shpijë drejt veprimeve nga ana e Beogradit.
(Marrë nga Peacefare)