Senatori Tillis: Rusia dhe Irani janë ‘Bosht i së Keqes’

Senatori amerikan Thom Tillis, njëherësh bashkëkryetar i grupit mbikëqyrës të NATO-s në Senatin amerikan, ka paralajmëruar se zhvillimet e fundit globale nuk duhet të trajtohen si kriza të ndara. Sipas tij, lufta në Ukrainë dhe tensionet në Lindjen e Mesme janë pjesë e një përplasjeje më të gjerë gjeopolitike mes asaj që ai e quan “bota demokratike” dhe “bota totalitare”.

Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë më 29 prill, Tillis theksoi se bashkëpunimi ndërmjet Rusia dhe Iranit ka tejkaluar kufijtë e një marrëdhënieje të zakonshme taktike, duke u shndërruar në një aleancë strategjike ushtarake, transmeton Klankosova.tv.

Ai nënvizoi se ky partneritet është thelluar ndjeshëm, duke përfshirë edhe mbështetjen që Irani i jep Rusisë në luftën në Ukrainë, përfshirë teknologjinë e dronëve dhe shkëmbimin e informacioneve të ndjeshme ushtarake.

“Bëhet fjalë për një aleancë të mirëfilltë strategjike, madje pjesë e asaj që mund të konsiderohet si boshti i vjetër i së keqes”, u shpreh Tillis, duke ngritur shqetësime edhe për rrezikun që kjo bashkëpunim paraqet për interesat amerikane dhe të aleatëve të saj.

Senatori republikan nga Karolina e Veriut theksoi se një ndër shqetësimet kryesore mbetet programi bërthamor i Iranit. Sipas tij, bazuar në vlerësimet e inteligjencës, Teherani mund të jetë vetëm “muaj, nëse jo javë” larg arritjes së kapaciteteve për pasurimin e uraniumit në nivele të përshtatshme për armë bërthamore.

Ai paralajmëroi se një Iran me armë bërthamore do të sillte një destabilizim të thellë në Lindjen e Mesme, në nivele të papara më parë, duke shtuar se një zhvillim i tillë do të ishte në interes të Moskës për të rritur paqëndrueshmërinë në rajon.

Duke folur më tej, Tillis sugjeroi se përmes bashkëpunimit me Iranin dhe përdorimit të aktorëve të ndërmjetëm, presidenti rus Vladimir Putin mban përgjegjësi indirekte për humbjen e jetëve amerikane. Ai deklaroi se “gjaku i ushtarëve amerikanë është në duart e Putinit”, duke e krahasuar atë me ish-komandantin iranian Qassem Soleimani, i cili u vra nga SHBA në vitin 2020.

Sipas Tillis, synimi strategjik i Putinit është dobësimi dhe largimi i ndikimit të SHBA-së nga Evropa dhe Lindja e Mesme. Ai shtoi se Rusia po zhvillon gjithashtu forma të “luftës hibride” në rajone të ndryshme, përfshirë Moldavinë, Ballkanin dhe vendet e Evropës Lindore.

I pyetur për mundësinë e një konflikti të ngrirë në Ukrainë, Tillis u shpreh se një skenar i tillë do të përbënte humbje për Perëndimin dhe një fitore për Kremlinin. “Një barazim është fitore për të. Putini duhet të humbasë qartë”, deklaroi ai.

Sa i përket sanksioneve, senatori amerikan vlerësoi se masat ndaj Rusisë dhe Iranit po humbasin efektivitetin, kryesisht për shkak të mungesës së koordinimit ndërkombëtar. Ai kritikoi vendet evropiane për reagim më të ngadaltë, duke theksuar se kostot afatgjata të tolerimit të këtyre politikave janë më të mëdha se pasojat ekonomike afatshkurtra.

Në fund, Tillis theksoi rëndësinë e NATO-s si një “mur mbrojtës kundër totalitarizmit”, duke bërë thirrje për rritjen e investimeve në mbrojtje nga vendet aleate. Ai shtoi se gjatë dekadave të fundit kanë mbetur të pashpenzuara rreth dy trilionë dollarë në këtë drejtim.

Sipas tij, një strategji e suksesshme perëndimore kërkon marrëveshje të qëndrueshme dhe afatgjata, si për Iranin ashtu edhe për Ukrainën, të cilat duhet të kenë mbështetje të gjerë politike dhe ratifikim institucional në SHBA, në mënyrë që të mos varen nga ndryshimet e administratave.