Selaniku më kujtoi që djemtë akoma shihen si ushtarë

Shkruan: Fitim Nuhiu

29.11.2024

 

***

Selaniku është vend kozmopolit në shtrirje dhe shkrirje të kulturave të ndryshme, qyteti i shumë brezave dhe njerëzve me prejardhje të ndryshme, ku shqiptarët kanë pasur vendin dhe rolin e tyre për shekuj me radhë, si ushtarë, si tregtar, si punëtorë krahu, si njerëz me mendje të ndritur, etj. Shqiptarët kanë hise në këtë qytet, sepse kanë vendosur gurët e një modeli bashkëjetese dhe bashkëveprimi, po në këtë qytet kozmopolit.

Në Selanik ka jetuar disa vite Ismail Qemali Vlora, mbreti Ahmet Zogu qëndroi pak muaj mbas largimit nga Shqipëria në vitin 1939. Në qytetin e Selanikut është vrarë ish-kryeministri i Shqipërisë, Hasan Prishtina, më 12 gusht 1933. Gjatë kohës së kryengritjes së turqve të rinj (Xhonturqit) në korrik-gusht të vitit 1908, Çerçiz Topulli, Bajo Topulli, Mihal Grameno qëndruan disa ditë në Selanik.

Selaniku historikisht ka qenë dhe akoma është qendër e rëndësishme ekonomike, industriale, tregtare dhe politike e Greqisë dhe jo vetëm. Qyteti më i bukur që vizitohet nga shumë turistë të ndryshëm.

 

***

Nga vizita në Selanik që bëra para disa ditëve, më mbeti një kujtim i keq dhe besa më bëri të mendoja për gjuhën, narrativën sociale dhe kuptimin e saj në jetën tonë.

Gjersa parkoja makinën, e takuam një qytetar grek të moshuar (afro 90 vjeçar), njeri i këndshëm, na tha emrin e tij, por s’arrita t’ia mbaja mend, sidoqoftë, na orientoi ku dhe si ta lëmë më mirë e kur zbritëm nga makina na priste që të bisedonte me ne (fliste një anglishte të rrjedhshme). Shihte regjistrimin e makinës sonë “SK” (dmth i Shkupit) dhe sikur donte me qëllim të na pyeste se nga vijmë, e sikur donte të na thoshte të vërtetën e vet. I thamë që vijmë nga Maqedonia, e ai na priti menjëherë, gabim e keni, ka vetëm një Maqedoni, e ajo është Greqia, maqedonasit e sotëm s’janë ata që pretendojnë se janë, thoshte ç’thoshte për ta, e vidhte vrerë, etj etj. Ne sikur deshëm ta “korrigjonim gabimin” tonë, i thamë se jemi shqiptarë që jetojmë në Shkup, e më pas ai filloi të thurr lavde për popullin shqiptar, duke shtuar se kohët e fundit kanë punuar disa shqiptarë në apartamentin tim, sa njerëz të këndshëm dhe të zellshëm që jeni, etj, etj. Ne grekët kemi raporte shumë të mira me ju. Sidoqoftë, në bisedë e sipër, shihte dy djemtë e mi dhe na tha troç: paskeni “dy djem – dy pushkë”, e unë ia ktheva me të shpejtë, jo, ne mendojmë t’i bëjmë “dy lapsa” që do të shkruajnë, do të lexojnë, do të njohin botën dhe të respektojnë diversitetin që ajo ka, etj.

Tani që po i shkruaj këto rreshta, po mendoja e analizoja besa edhe po kuptoj se përse kemi pasur kaq shumë luftëra mes shteteve të ndryshme në këto toka, besa edhe më gjërë, kur në narrativën e secilit prej popujve për popullin tjetër (ferri është tjetri – J.P.Sartri) e kanë peceptuar si armik dhe uzurpues të historisë dhe trojeve të tyre “autentike”, etj.

 

Në filozofinë politike njihet teza e Ludwig Wittgenstein. Në “Hetimet filozofike” filozofi dhe teoricieni i komunikimit Wittgenstein thotë: “Kuptimi i një fjale është përdorimi i saj në gjuhë”. Kjo do të thotë që nëse duam të kuptojmë një fjalë, duhet të mësojmë rregullat se si të përdorim një fjalë. Pra, gjuha formon kuptimet dhe keqkuptimet tona.

Gjuhëtari dhe filozofi i njohur Noam Chomsky mes rreshtash thotë se “çdo keqkuptim fillon nga gjuha e komunikimit tonë”, që mund ta interpretojmë se çdo konflikt apo luftë derivon nga narrativa që qarkullon ndër njerëzit (në popull) dhe ajo merr formë kur artikulohet dhe konkretizohet nga elitat intelektuale deri edhe te politika.

 

Se çfarë e ardhme na pret në vendin tonë me fqinjët duhet parë narrativën tek të rinjtë që kemi sot për njëri tjetrin, për popullin tjetër, besa edhe ne se çka i mësojmë të rinjtë dhe fëmijët tanë për tjetrin, sigurisht edhe duke njohur veten tonë.

Se sa jemi qytetëruar e sa jemi emancipuar, lë për të dëshiruar, ne sikur akoma s’po arrijmë të kuptojmë se bota e mirëfilltë qytetëruese ka ekzistuar dhe vazhdon të ekzistojë në saje të diversitetit që mund të ketë brenda saj, e jo në saje të homogjenizimin dhe unifikimit të një shoqërie të caktuar një një vend dhe në një kohë të caktuar.

Psikologu dhe matematicieni britanik Xhejms Xhils thotë:

“Qytetërimi është arti i të jetuarit në qytete në dimensione të tilla ku askush nuk njeh askënd”.

Gjithashtu dhe Martin Luter King thotë:

Ne duhet të mësojmë të jetojmë së bashku si vëllezër, ose do të zhdukemi të gjithë si budallenj.