Sela nuk dorëzohet për çështjen e shtetësisë! Kërkon mbështetjen e të gjitha partive politike

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela insiston në propozim-ndryshimet e Ligjit për shtetësi. Ai në emisionin debatues Click Plus tha se ky ligj është në dobi të çdo qytetari pa marrë parasysh përkatësinë etnike. Pret mbështetjen e BDI-së por edhe të partive tjera në pushtet dhe opozitë. Sela tregoi se në ligj është hequr pjesa “rrezikim i sigurisë së shtetit”, gjë për të cilën një pjese të madhe të qytetarëve u është mohuar e drejta e shtetësisë.

“Edhe në kronikat e juaja e pashë këto ditë që kishte një njeri që s’e ka marrë shtetësinë vetëm me ketë pikë, ne këtë e kemi heq. Se qenka i rrezikshëm për shtetin. E ku janë ata njerëz, vazhdojnë të jetojnë këtu, vazhdojnë të jetojnë pa sigurim shëndetësor, pa të drejtën për të konkurruar në tregun e punës, pa të drejtën për pension. Si e rrezikon ai sigurinë e shtetit i cili me vite të tëra është këtu dhe ndoshta nuk ka asnjë shkelje ligjore. Aq më tepër gjyshe dhe gjyshër tanë nga 80 dhe 90 vjet e rrezikuakan sigurinë e shtetit”, theksoi Yiadin Sela – Kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

Pasi që u aktualizua çështja me shtetësinë, zv.ministri i Punëve të Brendshme, Nazim Bushi, nëpërmjet Facebook-ut të tij ka informuar se është takuar me drejtorin e Agjencisë për Siguri Nacionale, Viktor Dimovski.

“Çështja e shtetësisë për qytetarët tanë dhe realizimi i të drejtave të plota për pajisje me këtë dokument të rëndësishëm ishte qëllimi i takimit të sotëm me Drejtorin e Agjencisë për Siguri Nacionale z. Viktor Dimovski. Bashkë i shqyrtuam të gjitha mundësitë dhe alternativat që qytetarët tanë sa më shpejt dhe pa pengesa burokratike të mund të fitojnë të drejtën e shtetësisë”, potencoi Nazim Bushi – zv/ministër i Punëve të Brendshme.

Nisma e Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës për ndryshimet ligjore është në procedurë parlamentare dhe duhet të shqyrtohet në Komisionin për mbrojtje dhe siguri. Kreu i PDSH-së MenduhThaçi për TV21 ditë më parë tha se propozimi është një “truk” i Alternativës, ndërsa shefi i grupit parlamentar i BDI-së Izet Mexhiti tha se njëherë duhet parë se çfarë ka në këtë propozim-ligj.