Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, gjatë konferencës për media një ditë më parë, shpalosi detaje nga koha kur para eksponentëve të “Alternativës” kishte prezantuar platformën që duhej të ishte e përbashkët, si partner të koalicionit opozitar. Ai tha se në momentin që e ka shpalosur kërkesën për ndryshimin e Ligjit për shtetësi, një eksponent i lartë të “Alternativës” është shprehur skeptik dhe e ka pyetur, ku e ka gjetur këtë çështje që ka mbetur e pazgjidhur për shumë dekada.
“Më kujtohet një moment kur ua kemi sqaruar platformën që e kemi bërë që duhet të jetë e përbashkët, ata na thanë s’kemi vërejtje dhe kur u përmend ligji për nënshtetësinë që e futën në platformë, njëri nga eksponentët e lartë të “Alternativës” aso kohe më pati thënë, kryetar nga e ke gjete këtë sepse 30 vite asnjë subjekt shqiptar edhe në qeveri duke qenë s’ka guxuar me përmend këtë, e jo më ta bëjë. Kështu që mendojmë se është e parealizueshme. I kam thënë realizohet shumë shpejtë vetëm t’i fitojmë zgjedhjet. Ndërsa ne e realizuam nga opozita. Kështu që, unë seriozisht ndjejë keqardhje dhe ato lloj deklaratash do ta shoqërojnë fatkeqësisht gjithë kohën për sa kohë qëllimet nuk i shpalos haptas përse je pjesë e koalicionit. Kur qëllimet i ke të hapta dhe janë shkruar në program dhe aty je me legjitimitet të plotë dhe përkrahje nga mbrapa, s’ka gjë që nuk realizohet”, tha Sela.