Seedorf: Nuk e shoh Mbappen te Real Madridi

Legjenda holandeze, Clarence Seedorf ka dyshime në lidhje me kalimin e Kylian Mbappe te Real Madridi nga Paris Saint-Germain.

Ylli francez shënoi dy gola në dy ndeshje kundër Los Blancos në fazën e 1/8-tës në Ligën e Kampionëve, por nuk mjaftoi për t’u kualifikuar në çerekfinale pasi një het-trik i Karim Benzema në Bernabeu mbrëmë ndihmoi skuadrën e Carlo Ancelottit për të siguruar një vend në çerekfinalen e garës elitare evropiane.

Seedorf ishte një nga ekspertët që komentoi lojën për Amazon Prime Italia dhe ndau mendimet e tij për mundësinë e bashkimit të Mbappes me Real Madridin si lojtar i lirë në fund të sezonit.

“Unë nuk e shoh Mbappen në këtë ekip (Real Madridin)”, ka thënë fillimisht ish-reprezentuesi holandez për Amazon Prime Italia.

“Nëse ai luan në të majtë, do të thotë që Vinicius Jr duhet të mbetet jashtë. Ku do të luante? Në të djathtë në vend të Asensios? Kjo është një mundësi”.

“Shikoni se çfarë bëri Karim Benzema sonte (mbrëmë). Ai e kuptoi që skuadra kishte nevojë për të, ndaj u fut thellë për të marrë topin. Mbappe nuk e bën këtë”.

“Neymar e bëri atë në vend të kësaj, duke u përpjekur të rimarrë kontrollin e lojës. Ndoshta Mbappe ka nevojë për një mjedis tjetër për t’u rritur më tej”, përfundoi Seedorf.