“Së pari Maldini dhe tani Mourinho”, Capello kritikon pronarët amerikanë të klubeve

Fabio Capello është shumë kritik ndaj pronarëve amerikanë të klubeve të Serie A duke thënë se ata nuk kanë respektuar si Paolo Maldinin ashtu edhe Jose Mourinhon.

Mourinho u shkarkua papritur nga Roma mëngjesin e sotëm (e martë) dhe tashmë është zëvendësuar nga Daniele De Rossi, i cili ka nënshkruar kontratë deri në fund të sezonit.

Capello foli për Sky Sport Italia të martën pasdite dhe nuk ishte i bindur nga vendimi i Romës, veçanërisht metodat e tyre.

“Duket se këta pronarë amerikanë kanë një mënyrë të çuditshme për t’i trajtuar gjërat, pa respekt për ata që punojnë për ta”, ka thënë fillimisht ish-trajneri i njohur italian.

“Ata janë mosrespektues sepse ne pamë se si Maldini u shkarkua me një telefonatë, dhe tani ata bënë të njëjtën gjë me Mourinhon, i cili ishte në Trigoria dhe iu tha se nuk ishte më në krye”.

“Nuk ka ndjeshmëri aty përreth; ka biznes. Ata janë pronarët dhe ata vendosin, por unë besoj në diçka më shumë, në njëfarë kuptimi, respekti për ata që punojnë me ju, duke thënë lamtumirë në një mënyrë tjetër sesa me një deklaratë të ftohtë apo një telefonatë të ftohtë”, përfundoi Capello. /Telegrafi/