Scholes: Haaland është fantastik, por Mbappe është një nivel tjetër

Kylian Mbappe dhe Erling Haaland janë ndër sulmuesit më të mirë në qarkullim, duke pasur parasysh ehe moshën e tyre të re, mendohet se francezi dhe norvegjezi do të dominojnë vitet e ardhshme të futbollit.

Shumë gola të shënuar nga 23-vjeçari i PSG-së dhe 22-vjeçari i Manchester City, të cilët e kanë nisur në mënyrën më të mirë sezonin 2022/2023 me ekipet e tyre.

Mbappe numëron 10 gola mes Ligue 1 dhe Ligën e Kampionëve, teksa Haaland e ka filluar aventurën angleze në mënyrë fantastike, duke realizuar 11 gola me Manchester City:, prej tyre tetë në Ligën Premier dhe tre në Ligën e Kampionëve.

Paul Scholes, ish-mesfushori legjendar i Manchester United dhe kombëtares angleze, zgjedh më të mirin mes tyre.

“Mbappe e vlerësoj më shumë se Haaland, e cilësoj francezin si futbollistin e ri më të mirë në botë”.

“Loja e Kylian është më e plotë, ka më shumë gjëra në futbollin e tij, ai nuk është thjesht një sulmues i pastër. Mbappe sulmon thellësinë, driblon disa kundërshtarë, është shumë i shpejtë dhe mund t’ia dalë edhe përballë dy kundërshtarëve”.

“Haaland është i mrekullueshëm, mos më keqkuptoni, ai është një golashënues i lindur”, ka thënë Scholes.