Sarri i komenton lajmet se do të shkarkohet: Gjithmonë ke presion kur je në Juventus

Trajneri i Juventusit, Maurizio Sarri, thotë se nëse ai s’do të mundë ta përballonte presionin që e sjell puna e tij – siç ka ndodhur gjatë ditëve të fundit, shkaku i dy disfatave në tri ndeshjet e fundit – atëherë do të ishte bërë postier e jo trajner.

Bardhezinjtë i kanë humbur dy ndeshjet e fundit si mysafirë dhe kjo ka bërë që mediumet italianë të raportojnë për një shkarkim të mundshëm të Maurizio Sarrit, i cili është thënë se mund të zëvendësohet nga Pep Guardiola këtë verë ose të kthehet Massimiliano Allegri, transmeton Gazeta Express.

Por, për Sarrin këto probleme janë normale pasi që ai thotë se presioni është gjithmonë i pranishëm kur punon si trajner.

“Nëse nuk do të kisha dashur të përballur me sfida, atëherë do të isha bërë postier. Kjo është puna ime”, tha Sarri në konferencën për shtyp para ndeshjes së parë gjysmëfinale të Kupës së Italisë kundër Milanit.

“Ne jemi në rrugë të mirë për t’i arritur synimet që ia kemi caktuar vetes në fillim të sezonit. Natyrisht se do të reflektojmë për gabimet që e kemi bërë në ndeshjet që kanë shkuar keq”.

Mediumet italiane raportuan se Sarri u takua me presidentin e klubit Andrea Agnellin pas disfatës me rezultat 2:1, mirëpo Sarri insistoi se kjo s’u bë shkaku i rezultateve.

“Ne e kishim plan të takoheshim për darkë pas ndeshjes kundër Fiorentinës. Por, unë isha në Coverciano dhe presidenti ishte i zënë më diçka tjetër, kështu që darka ishte shtyrë për atë ditë”, ka thënë Sarri.

“E patëm një darkë normale, ashtu siç ishte planifikuar”.

Cristiano Ronaldo ka qenë në superformë gjatë dy muajve të fundit, mirëpo mediat italiane kanë raportuar se ai do të pushojë në ndeshjen kundër Milanit që të mos rrezikojë të lëndohet për Ligën e Kampionëve.

“Do ta shohim. Unë kam folur me të dhe ai më ka thënë se po ndihet mirë. Ne ta vlerësojmë gjendjen e tij, se a ka nevojë për pushim, ndeshje pas ndeshjeje”, përfundoi Sarri. /Gazeta Express/