Samiti i BE-së përfundon pa konsensus për Shkupin dhe Tiranën, vetoja bullgare penalizon edhe Shqipërinë

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk morën pëlqimin e të gjithë vendeve anëtare për të filluar negociatat me Bashkimin Evropian. Edhe pse autoritetet e BE-së, pas takimit të Këshillit të Punëve të Përgjithshme nuk potencuan, vendimin pozitiv e ka penguar vetoja bullgare për Shkupin. Vendimi erdhi pas takimit në Luksemburg të ministrave të jashtëm dhe ministrave për Evropën të vendeve anëtare.

“Pavarësisht të gjitha përpjekjeve, nuk ishte e mundur të arrihet marrëveshje për të negociuar për kornizën e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë dhe të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare me këto dy vende kandidate. Gjithsesi, Presidenca e ardhshme sllovene do të vazhdojë me përpjekjet me shpresën se do të arrijmë një konkluzion pozitiv së shpejti, mbi bazën e propozimit të Presidencës portugeze, që është në tavolinë- deklaroi Paula Zakarias, Sekretare shtetërore për çështje evropiane e Portugalisë.
Bullgaria konfirmoi, nëpërmjet një komunikate nga Ministria e Punëve të Jashtme, se përfaqësuesi i saj në Samitin e Këshillit të BE-së, zv/ministri i Jashtëm bullgar Rumen Aleksandrov ka bërë të ditura qëndrimet e palëkundura të Sofjes. Ministria e Jashtme bullgare thotë se e vlerëson vullnetin e mirë të Shkupit por pret që të zbatojë në praktikë detyrimet që ka marrë nga marrëveshja e vitit 2017, e që janë:

Ministria e Jashtme e Bullgarisë

“Kjo përfshin heqjen dorë nga Republika e Maqedonisë Veriore nga pretendimet territoriale, të pakicave dhe historike ndaj Bullgarisë, ndryshimin e mbishkrimeve/monumenteve që nxisin urrejtje ndaj Bullgarisë në Republikën e Maqedonisë Veriore, aktivizimin e një procesi të rehabilitimit të viktimave të komunizmit Jugosllav të ndrydhur për shkak të vetëdijes bullgare. Pavarësisht nga dialogu ynë dypalësh me Republikën e Maqedonisë Veriore, Bullgaria këmbëngul që zbatimi i Marrëveshjes për Fqinjësi të mirë të përfshihet midis kushteve në kornizën e ardhshme për negociatat e pranimit të Shkupit në BE.”

Gjithsesi, Aleksandrov në takim ka shtuar se Sofja mbetet e hapur për të vazhduar dialogun konstruktiv për të gjetur zgjidhje. Para fillimisht të takimit, disa ministra të vendeve anëtare deklaruan se Shkupi dhe Tirana duhet të fillojnë menjëherë negociatat dhe se çështjet bilaterale duhet të zgjidhen në mënyrë bilaterale. Në kuadër të këtij samiti, Serbia dhe Mali i Zi kishin konferencat e para ndërqeveritare sipas metodologjisë së re të anëtarësimit. Ministrat përgatitën Samitin e shefave të vendeve anëtare që do të mbahet më 24 dhe 25 qershor. Në takimit e Këshillit për punë të përgjithshme u diskutua edhe sundimi i së drejtës në vendet anëtare./Alsat